Ekonomia e Kinës u zgjerua në tremujorin e tretë me ritmin më të ngadaltë që nga fillimi i vitit të kaluar, teksa vendi përpiqet të nxisë rritjen më të shpejtë.
Në bazë vjetore, produkti i brendshëm bruto (PBB) u rrit me 4.6% në tre muajt deri në fund të shtatorit, sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës. Kjo është më pak se tremujori i kaluar dhe nën objektivin e qeverisë “rreth 5%” për këtë vit.
Por ishte pak më mirë se sa prisnin analistët, ndërsa shifrat e tjera zyrtare të publikuara të Premten, duke përfshirë shitjet me pakicë dhe prodhimin e fabrikës, gjithashtu mposhtën parashikimet.
Në javët e fundit, Pekini ka njoftuar një sërë masash që synojnë të mbështesin rritjen.
Ky është tremujori i dytë me radhë që masa zyrtare e rritjes ekonomike të Kinës ka rënë nën objektivin prej 5%, gjë që do të shtojë shqetësimet e qeverisë.
“Objektivi i rritjes së qeverisë për këtë vit tani duket në rrezik serioz”, tha për BBC News ish-kreu i divizionit të Kinës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Eswar Prasad.
“Do të duhet një nxitje thelbësore e nxitur nga stimuli i rritjes në tremujorin e katërt për të arritur objektivin”.
Por ekonomisti i Moody’s Analytics, Harry Murphy Cruise, ishte më optimist. Masat stimuluese “ka të ngjarë ta shtyjnë ekonominë në objektivin e saj prej rreth 5% për vitin”, tha ai.
“Por kërkohet më shumë nëse zyrtarët do të adresojnë sfidat strukturore në ekonomi”.
Shifrat zyrtare treguan gjithashtu se çmimet e shtëpive të reja ranë në shtator me ritmin më të shpejtë në pothuajse një dekadë, duke treguar se rënia në sektorin e pronave po përkeqësohet. /Albanianpost.com