Nga vendet kandidate, shqiptarët me nivelin më të lartë të besimit në BE

Nivelet e besimit në Bashkimin Evropian janë rritur ndjeshëm në shumicën e vendeve kandidate që nga dimri 2022-2023.

Shqipëria kryeson me nivelin më të lartë të besimit, konkretisht me 77%, pra me 6 për qind më shumë.

Pas saj renditet Bosnja dhe Hercegovina me 57 për qind, Mali i Zi me 54 për qind, Maqedonia e Veriut me 48, Moldavia me 44, Turqia me 41 dhe në fund është pozicionuar Serbia me nivelin më të ulët të besimit, vetëm 32%.

Këto shifra janë publikuar nga vetë barometri i Bashkimit Evropian.

Shifra për Shqipërinë është dukshëm ndryshe nga ajo e vitit 2019, ku të paktën vetëm 51% e shqiptarëve të anketuar kishin besim tek BE.

Por edhe asokohe shqiptarët ishin në nivelin më të lartë të besimit në BE në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Duket se hapja dhe nisja negociatave, apo edhe fryma pozitive e përcjellë nga liderët evropianë për vendin ka pasur një ndikim në besimin e shqiptarëve për unionin.

Rrugëtimi evropian i Shqipërisë

Në vitin 1992 u nënshkrua marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë.

Kjo pas daljes nga diktatura.

Shtatë vite në pas, BE propozoi Procesin e ri të Stabilizim – Asociimit (PSA) për pesë vende të Evropës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë.

Pra që nga viti 1999, Shqipëria nisi të përfitojë nga tregtia e lirë e Tregtisë me BE.

Në vitin 2001, Komisioni rekomandoi ndërmarrjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe në nëntor 2006, Komisioni Evropian vendosi të fillojë negociatat për lehtësimin e vizave me Shqipërinë.

Katër vite më pas hyri në fuqi lëvizja pa viza në zonën Schengen dhe më 10 tetor 2012 Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE-së,.

Në vitin 2014 Këshilli ra dakord të japin statusin e kandidatit të Shqipërisë.

Ndërkaq, Shqipëria ka forcuar strukturat dhe ka intensifikuar punën për t’iu përgjigjur kërkesave të procesit të negociatave që nisi me zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare në korrik 2022. /Albanianpost.com

Read Previous

Inspektorati i Tregut në terren, inspekton pikat e shitjes së karburanteve

Read Next

Laporta flet për Messi: Ishte gati gjithçka për rikthimin e tij te Barça, por zgjodhi Inter Miami