Inspektorati i Tregut në terren, inspekton pikat e shitjes së karburanteve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar të mërkurën se Inspektorati i Tregut po bën kontrolle të pikave shitëse të karburanteve të naftës, për t’u vërtetuar se qytetarët nuk po mashtrohen në sasinë e karburanteve që paguajnë.

Inspektorët kanë vazhduar verifikimin e sasisë nëpër pikat e shitjes së derivateve të naftës, me qëllim të parandalimit të çfarëdo mashtrimi që mund të bëhet me sasinë e deklaruar.

“Përmes etalonëve të kalibruar, nga inxhinierët e metrologjisë, bëhen matjet e duhura me anë të të cilave vërtetohet nëse litri i deklaruar ka sasinë e saktë. Në rastet kur ka devijime, Inspektorati i Tregut ndërmerr masat e duhura ndëshkuese ndaj subjekteve që kanë mashtruar konsumatorët”, thuhet në komunikatën për media të MINT-it.

Inspektorati i Tregut thuhet se do të vijojë të mbikëqyrë tregun me intensitet të shtuar dhe të trajtojë secilën nga ankesat e konsumatorëve, për çfarë edhe i inkurajon ata që të paraqesin parregullsitë që hasin./Telegrafi/

Read Previous

Bislimi: Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve, nuk mund të fshihen më

Read Next

Nga vendet kandidate, shqiptarët me nivelin më të lartë të besimit në BE