Nga Napoli te Kosova: Rrahmani flet për për suksesin në Serie A dhe synimet e reja me Kosovën

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka qenë një nga figurat më të shquara të Napolit këtë sezon, duke u bërë shtylla e mbrojtjes nën drejtimin e trajnerit Antonio Conte, ky skuadra fitoi titullin e kampionit në Serie A.

Në një garë të ngushtë me Interi deri në xhiron e fundit, Napoli ia doli edhe pse nuk llogaritej fare favorit në fillim të sezonit. Prishtinasi shkëlqeu në të gjitha 38 ndeshjet e Serie A, duke kontribuar jo vetëm në prapavijë, por edhe në fazën sulmuese me një gol dhe tre asistime.

Mbrojtësi i jashtëzakonshëm i Napolit, Rrahmani, në një intervistë për Telegrafin ka folur për titullin e kampionit, që është i dyti për të me këtë klub, punën me një trajner si Antonio Conte, por edhe për Kosovën, dhe ndeshjet që i zhvillon për kualifikueset për Kupën e Botës.

Fillimisht kapiteni dardan u ndal te suksesi në kampionatin italian, duke thënë se titulli në xhiron e fundit ishte emocionues dhe e bën më të veçantë.

“Sigurisht që ky është një sukses i jashtëzakonshëm që kemi arritur dhe natyrisht që jam shumë i lumtur që kam arritur dhe unë me paraqitjet që kam pasur dhe i kam ndihmuar ekipit për të arritur këtë sukses të madhë”.

“Ky sezon ka qënë tejet interesant deri në ndeshjen e fundit dhe e bënë edhe më të veçantë titullin kampion”, ka thënë Amir Rrahmani fillimisht për Telegrafin.

Nuk mund të mungonte dhe një pytje për trajnerin tashmë sërish kampion, kësaj radhe me Napolin, ku luan edhe mbrojtësi ynë, pas atyre me Juventusin dhe Interi, Antonio Conte.

Rrahmani deklaroi se Conte sjell energji të madhe, por edhe kërkon maksimumin dhe për këtë sukseset nuk mungojnë.

“Trajneri Conte solli një frymë dhe energji të re te skuadra dhe puna me të ka qenë e jashtëzakonshme. Ai është një trajner që gjithmonë kërkon maksimumin dhe besoj që një gjë e tillë ka sjellur edhe titullin kampion. Sigurisht që puna që kemi bërë këtë sezon në fund u kurorëzua edhe me titullin kampion”, deklaroi shtylla e mbrojtjes së Napolit.

Rrahmani u shpall mbrojtësi më i mirë i Serie A nga CIES (Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive) para disa ditësh, ndërsa i katërti më i mirë në botë – një arritje e madhe për të.

Ai po ashtu është futbollisti i parë shqiptar në histori qe e fiton titullin e Serie A dy herë, në sezonet 2022/23 dhe 24/25, pasi Riza Lushta me Juventus (1939-40), Naim Kryeziu me Romën (1941-42) dhe Elseid Hysaj me Napolin (2022-23), e kanë fituar vetëm nga njëherë. Kjo gjë e bën krenar dhe shton se është arritje e madhe dy tituj në Serie A.

“Dy tituj kampion në Serie A me Napolin sigurisht që për mua është një arritje e madhe dhe ndihem krenarë që kam arritur të shkruaj emrin tim në historinë e klubit. Është emocion i veçantë të fitosh titullin e kampionit në Serie A, e sidomos në ndeshjën e fundit të edicionit çka e bënë më të veçantë”, deklaroi kapiteni i Kosovës.

Rrahmani, i cili do të mungojë në ndeshjet e qershorit për Kosovën, pasi përzgjedhësi Franco Foda e ka lënë të pushojë, ai mbetet i fokusuar për sfidat zyrtare që e presin në shtator.

Kosova luan në të njëjtin grup me Suedinë, Slloveninë dhe Zvicrën, ku kapiteni e pranin që nuk është grup i lehtë, por do t’i marrin ndeshjet një nga një.

“Jemi në një grup aspak të lehtë pasi të gjitha Kombëtaret janë të forta dhe nuk ka kundërshtar të lehtë. Secila kombëtare synon të marrë maksimumin në këtë grup dhe ne do të kërkojmë ta bëjmë të njëjtën gjë. Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe synimi gjithmonë mbetet rezultatet pozitive,” përfundoi Rrahmani.

Rrahmani ishte në formacionin e sezonit në Serie A nga shumë mediume dhe kompani të statisikave, kur njëra ndër to me një mesatare të vlerësimit 7.27, SofaScore, e vendosi Rrahmanin në formacion, pasi ai po ashtu dëshmoi aftësitë e tij të jashtëzakonshme në duele – 4.82 duele të fituara për ndeshje (62%) dhe 3.37 duele ajrore të fituara (69.6%). /Telegrafi/

Read Previous

Osmani nga “Defender 25”: Kosova e gatshme për anëtarësim në NATO

Read Next

Biletat për ndeshjen Shqipëri – Serbi po qarkullojnë në ‘tregun e zi’