Nga Byroja për konfiskimin e pasurisë te energjia, Qeveria miraton një sërë projektligjesh

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e dytë elektronike, në të cilën ka marrë një numër vendimesh dhe ka miratuar disa projektligje që prekin fusha të ndryshme të politikave publike.

Një pjesë e rëndësishme e vendimeve lidhet me sistemin e drejtësisë. Në këtë kuadër është miratuar Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili përcakton bazën ligjore për themelimin dhe funksionimin e kësaj Byroje, si dhe procedurat për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Në fushën e drejtësisë janë miratuar edhe projektligjet që rregullojnë rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve e prokurorëve. Krahas tyre, Qeveria ka miratuar edhe projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të tyre.

Pjesë e paketës janë edhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.

Ndryshime edhe në sektorin e energjisë

Kabineti qeveritar ka miratuar dy projektligje që lidhen drejtpërdrejt me sektorin energjetik: Projektligjin për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike.

Sipas përmbajtjes së tyre, këto iniciativa synojnë të përcaktojnë rregullat për funksionimin e sektorit, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit, funksionimin e tregut të energjisë dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Projektligjet adresojnë gjithashtu integrimin e burimeve të ripërtërishme dhe objektivat klimatike.

Qeveria ka miratuar edhe vendimet për t’ia propozuar Kuvendit kandidatët për kryesues dhe dy anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Inovacioni, ndërmarrësia dhe pagesat tregtare

Në mbledhje ka kaluar edhe Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili synon krijimin e një kuadri institucional për mbështetjen dhe nxitjen e aktiviteteve inovative dhe ndërmarrëse.

Një tjetër projektligj i miratuar është ai për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare. Ky projektligj përcakton rregulla për afatet e pagesave dhe kamatëvonesat në transaksionet ndërmjet bizneseve, si dhe në marrëdhëniet ndërmjet bizneseve dhe autoriteteve publike.

Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Vendime për prona dhe prioritetet qeveritare

Përveç projektligjeve, Qeveria ka miratuar disa vendime për dhënien me qira të pjesëve të parcelave në Kaçanik, Gllogoc, Rahovec, Suharekë dhe Shtime. Parcelat parashihen të përdoren për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror, shfrytëzimin e gurit dekorativ dhe vendosjen e mekanizmave për përpunimin e materialeve.

Ndër vendimet e miratuara është edhe Deklarata e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë për periudhën 2027–2029. Dokumenti shërben si kornizë për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetit vjetor.

Po ashtu, është zgjatur për tre muaj mandati i Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.

Qeveria ka miratuar edhe listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, ndërsa në fund është marrë vendim për pezullimin nga marrëdhënia e punës të një nëpunësi civil të kategorisë së lartë drejtuese.

Në tërësi, mbledhja përfshiu një paketë të gjerë projektligjesh dhe vendimesh që mbulojnë drejtësinë, energjinë, ekonominë, administratën publike dhe menaxhimin e pronës shtetërore.

Më poshtë të gjitha projektligjet që u miratuan nga Qeveria e Kosovës:

  • Miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, qëllimi i të cilit është themelimi, organizimi dhe përcaktimi i kompetencave të Byrosë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe përcaktimi i procedurës për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
  • Miratuar Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve  dhe Prokurorëve, përmes të cilit përcaktohen rregullat e rekrutimit, vlerësimit të performancës, kontrollit të integritetit, statusit dhe çështje tjera lidhur me gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Kosovës.
  • Miratuar Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili ka për qëllim të rregullojë sistemin e përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, duke përcaktuar parimet, procedurat, organet kompetente dhe masat disiplinore që zbatohen në rast të shkeljeve të përcaktuara të detyrimeve si gjyqtarë, përkatësisht prokurorë.
  • Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
  • Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin Nr.08/L-249. 
  • Miratuar Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, qëllimi i të cilit është të sigurojë zhvillimin profesional dhe cilësor, të vazhdueshëm dhe të standardizuar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të lidhur me sistemin e drejtësisë. 
  • Miratuar Projektligjin për Energjinë, përmes të cili bëhet përcaktimi i parimeve dhe rregullave të përgjithshme që rregullojnë aktivitetet në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës, për të siguruar furnizim të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji, për të mundësuar pjesëmarrjen aktive në tregjet rajonale dhe panevropiane të energjisë dhe për të krijuar kushte për një treg të hapur, transparent dhe konkurrues, që ofron çmime të përballueshme të energjisë të bazuara në treg, mbrojtje dhe fuqizim të konsumatorit, përfshirë mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, integrimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme, si dhe përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe klimës.
  • Miratuar Projektligjin për Energjinë Elektrike, qëllimi i të cilit është përcaktimi i rregullave dhe masave për sektorin e energjisë elektrike, për të garantuar furnizim të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike me çmime të përballueshme dhe transparente për konsumatorët fundorë, duke adresuar njëkohësisht caqet klimatike të vendit.
  • Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
  • Miratuar Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, qëllimi i të cilit është të përcaktojë parimet, rregullat, organizimin dhe mekanizmat institucionalë për mbështetjen, promovimin dhe nxitjen e aktiviteteve inovative dhe ndërmarrëse, me qëllim të përshpejtimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe mjedisor në Republikën e Kosovës.
  • Miratuar Projektligjin për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare.  Qëllimi i këtij projektligji është parandalimi i vonesave të pagesave në transaksionet tregtare, si dhe përcaktimi i rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatë-vonesave, në rastet e furnizimit me mallra dhe shërbime ndërmjet shoqërive tregtare si dhe ndërmjet shoqërive tregtare dhe autoriteteve publike, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut, duke nxitur aftësinë konkurruese të shoqërive tregtare.
  • Miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për Kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
  • Miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për pozitat e dy (2) anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
  • Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës me sipërfaqe prej 6078.21 m², Zona Kadastrale Semajë, Komuna Kaçanik, sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 23.12.2026 për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.
  • Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Vasilevë dhe Zona Kadastrale Korroticë e Epërme, Komuna Gllogoc, në sipërfaqe prej 24923 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 10.09.2029 për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror dhe vendosjen e mekanizmit.
  • Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Rahovec, Komuna Rahovec, me sipërfaqe prej 47231 m², sipas Kërkesës nga Ministrisë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 19.05.2039 për nxjerrjen e gurit gëlqeror.
  • Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Samadrexhë, Komuna Suharekë, me sipërfaqe prej 24997 m²,  sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri me datë 09.01.2031 me qëllim të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit gëlqeror.
  • Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Samadrexhë, Komuna Suharekë, me sipërfaqe prej 7289 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri me datë 10.02.2029 me qëllim të vendosjes së mekanizimit për seperim të gurit gëlqeror.
  • Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Zatriq, Komuna Rahovec, me sipërfaqe prej 49999 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri me datë 23.10.2040, me qëllim të shfrytëzimit të gurit dekorativ.
  • Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Raçak, Komuna Shtime, me sipërfaqe prej 19998 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 26.08.2028 për vendosjen e mekanizmit për seperim dhe deponim të materialit të ngurtë.
  • Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Raçak, Komuna Shtime, me sipërfaqe prej 3348 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 26.09.2027 për seperim të gurit.
  • Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Strazhë, Komuna Kaçanik, me sipërfaqe prej 29287 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në kohëzgjatje deri me datë 30.04.2028, me qëllim të nxjerrjes dhe shfrytëzimit të gurit gëlqeror.
  • Miratuar Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2027-2029, e cila përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetin vjetor te hartuar nga Ministria e Financave.
  • Miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 19.03.2026, ashtu që cilit Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut i vazhdohet mandati edhe për 3 muaj.
  • Miratuar vendimin për Listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Kategorinë e Ulët dhe atë të Mesme Drejtuese.
  • Miratuar vendimin për pezullimin nga marrëdhënia e punës të nëpunësit civil të kategorisë së lartë drejtuese.

/tvsyrivision/

Read Previous

Gërvalla: Gjyqtarët dhe prokurorët mund të shkarkohen për performancë të dobët