Shikuesit e Netflix po kërcënojnë të anulojnë abonimet e tyre për shkak të lajmit të fundit se platforma e transmetimit së shpejti do të fillojë të shfaqë reklama të inteligjencës artificiale – gjatë serialeve dhe filmave.
Abonentët me nivelin më të ulët të abonimit do të jenë të parët që do të marrin këto reklama të reja të inteligjencës artificiale.
Reklamat e reja janë planifikuar të shfaqen nga viti 2026.
Por pas viteve të rritjes së çmimeve për shkak të krizës së kostos së jetesës dhe futjes së reklamave së fundmi, kjo mund të jetë pika e fundit për shumë përdorues.
Amy Reinhard, presidente e divizionit të reklamave të Netflix, tha në një aktivitet: “Themeli i biznesit tonë të reklamave është vendosur dhe ne presim përparim edhe më të shpejtë në të ardhmen”.
Reklamat e reja pritet të shfaqen në vitin 2026 dhe Netflix ka konfirmuar se ato nuk do të shfaqen vetëm gjatë pauzave standarde, por edhe kur përdoruesi shtyp butonin e pauzës – duke përdorur inteligjencën artificiale që do ta lidhë tematikisht reklamën me përmbajtjen që po shikohet aktualisht.
Për shembull, një përdoruesi mund t’i shfaqet një reklamë për një produkt që e ka kërkuar në internet atë ditë, e kombinuar me pamje nga një shfaqje ose film që është aktualisht në ekran.
Inteligjenca artificiale nuk është e preferuara e të gjithëve, dhe pas këtij lajmi, duket se shumë përdorues do ta marrin seriozisht në konsideratë abonimin e tyre.
Në X, përdorues të shumtë shprehën pakënaqësinë e tyre. “E neveritshme, jo, faleminderit Netflix. Askush nuk i do këto mbeturina. Nuk do të abonohem më kurrë nëse e prezanton këtë”, “Askush në Netflix nuk e pëlqen inteligjencën artificiale. Është koha të anuloj abonimin tim”, “Është sikur po përpiqen të humbasin abonentë”, “Jam në prag të anuloj gjithçka dhe thjesht të blej DVD-në”, janë vetëm disa nga komentet. /Telegrafi/