Nesër vazhdon seanca në përpjekjen e 11-të për konstituimin e Kuvendit

Të hënën legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës do të bëjë përpjekjen e radhës për t’u konstituar. Dje në mungesë kuorumi, dështoi përpjekja për zgjedhjen e komisionit për votimin e fshehtë, duke e detyruar kryesuesin Avni Dehari  që  ta ndërpresë seancën, duke paralajmëruar se ajo do të vazhdojë të hënën, në orën 10:00.

Për herë të dhjetë me radhë të shtunën, legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk arriti të konstituohet. As në vazhdimin e nëntë të seancës nuk pati lëvizje pozitive drejtë konstituimit të Kuvendit të Kosovës .

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, dje u bëri thirrje partive politike që të propozojnë anëtarë për komisionin për votimin e fshehtë, si një hap procedural kyç sipas tij, për vazhdimin e procesit.

Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kritikoi mënyrën e drejtimit të seancës, duke mos propozuar kandidatë për komision. As LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk propozuan kandidatë për komisionin, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë si në seancat e kaluara, raporton RTKlive.

Ndërkohë, nga 106 deputetë të pranishëm, vetëm 54 votuan pro krijimit të komisionit, një kundër, dhe asnjë abstenim, numër që nuk mjaftoi për kuorum.

E pas përfundimit të seancës, përfaqësues të partive politike vazhduan me akuza ndaj njëra-tjetrës për moszgjedhjen e kryeparlamentarit.

Deputetja e LVV-së, Donika Gërvalla e ka quajtur të pakuptimtë refuzimin për ta votuar mundësinë e votimit të fshehtë.

Por partitë deri tash opozitare PDK, LDK e AAK e vlerësuan jokushtetuese mënyrën se si LVV-ja po tenton që kryekuvendari të votohet përmes formës së fshehtë.

Përfaqësuesit e partive kundërshtuese kanë thënë se Albulena Haxhiu nuk do të votohet për kryekuvendare as në vazhdimin e seancës të hënën paradite.

Pas votimit të kryekuvendarit është e përcaktuar të procedohet me votim të nënkryetarëve.

Votimi i kryekuvendarit dhe nënkryetarëve do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re të Kosovës. LVV-së, si fituese të zgjedhjeve, i takon që e para të propozojë mandatarin për ekzekzutivin.

Nëse brenda 15 ditësh nuk e formon ekzekutivin, atëherë presidentja Vjosa Osmani, ka të drejtë të mandatojë cilëndo parti që ia garanton se i ka 61 votat për Qeverinë e re të Kosovës.

Nëse edhe mandatari i dytë dështon të formojë ekzekutivin, atëherë Osmani shpall mbajtjen e zgjedhjeve të reja./rtklive

Read Previous

SHBA ndan 310 milionë dollarë për fuqizimin ajror të Ukrainës

Read Next

​Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve