Nëntë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve në Kosovë

Policia e Kosovës ka theksuar se ka iniciuar nëntë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit.

Policia ka bërë të ditur se në Prishtinë një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht, e dhunë ka thënë se ka pasur edhe më parë.

Viktima ka njoftuar se nuk ndihet e rrezikuar, e pas intervistimit me dëshirën e saj ka shkuar në strehimore me dy fëmijët e saj. Prokurori është njoftuar për rastin, e rasti u iniciua si “dhunë në familje”.

“Lidhur me rastin, në prezencë  të zyrtarit të QPS-së viktima pas intervistimit, me dëshirën e saj ka shkuar në strehimore bashkë me (dy) fëmijët e saj. Lidhur me rastin është informuar prokurori, ndërsa i dyshuari pritet që të intervistohet pasi të sigurohet prezenca e tij. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në Obiliq një grua ka raportuar se djali i saj i birësuar, që sipas saj s’ka qëndrueshmëri psikike, i ka shkaktuar dhunë. Me vendim të prokurorit, pas trajtimit mjekësor në psikiatri ai është dërguar në mbajtje.

Edhe në Fushë-Kosovë janë iniciuar dy raste të dhunës e janë arrestuar dy persona, pasi njëri dyshohet se kishte rrahur bashkëshorten dhe vajzën e tij, e i dyshuari tjetër ka sulmuar fizikisht të fejuarën.

Në rastin e parë të dyshuarit i është sekuestruar një armë gjueti që e posedonte me leje. Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Kurse, në Shtime është arrestuar një grua pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e saj. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, e e dyshuara është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë, policia i ka iniciuar dy raste të dhunës në familje.

Një grua ka raportuar se vazhdimisht është keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj. Ajo ka kërkuar urdhër mbrojtës, e i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, me të meta mentale pasi që i njëjti i kishte keqtrajtuar dy viktimat femra kosovare, nënën dhe bashkëshorten. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Në Mitrovicë të Jugut një grua është ankuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar në vazhdimësi dhunë ndaj saj.

“I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktima së bashku me fëmijët e saj është dërguar në strehimore”, thuhet në njoftimin e policisë. /RTK/

Read Previous

Ja sa gjoba u shqiptuan nga Policia e Kosovës në 24 orët e fundit

Read Next

Guterres: Pushtimi tokësor në Rafah do të ishte i patolerueshëm