Në prag të festës së Pashkëve Dodë Gjergji fton qytetarët për paqe, harmoni, barazi e tolerancë fetare

Ringjallja e Krishtit nga vdekja –  nuk është vetëm një ditë në kalendarin e shenjtë liturgjik të jetës së Kishës, por, para së gjithash, një përvojë feje, që fillon me ecjen kreshmore për dyzet ditë e na bën të përjetojmë kalimin nga përvojat e skllavërisë së mëkatit në kremtimin e lirisë së të Ringjallurit.

Kështu e nis porosinë e tij ipeshkvi, Dodë Gjegji për Festën e Pashkëve 2014, njofton Klankosova.tv.

“Edhe pse jetojmë një kohë të vështirë, kur njerëzit më shumë janë duke u angazhuar për të luftuar ose për të mbështetë luftën se sa për të ndërtuar paqen, ne nuk pushojmë duke iu lutur Krishtit, Princit të Paqes, që të zbus zemrat e ngurta dhe të çlirojë ato nga urrejtja, sidomos ata që kanë përgjegjësi për të ruajtur paqen në botë dhe në vendin tonë”, thotë më tutje ipeshkvi.

Dodë Gjergji bën thirrje ndaj qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre fetare, pozicioneve shoqërore, përkatësive etnike apo përgjegjësive politike që kanë, të bëjnë çfarë është e mundur, që ndër ne të mbizotërojë paqja e vërtetë, harmonia, barazia dhe toleranca fetare.

“Të dashur motra dhe vëllezër, festa e Pashkëve – Ringjallja e Krishtit nga vdekja – s’është vetëm një ditë në kalendarin e shenjtë liturgjik të jetës së Kishës, por, para së gjithash, një përvojë feje, që fillon me ecjen kreshmore për dyzet ditë e na bën të përjetojmë kalimin nga përvojat e skllavërisë së mëkatit në kremtimin e lirisë së të Ringjallurit. Kjo ecje ripërtëritëse nëpërmjet agjërimit, pendesës, uratës e lëmoshës, i përgatit zemrat tona dhe na aftëson ti bindemi Hyjit Dashuri, e për të përqafuar dashurinë e Tij, në mënyrë që të shpallet e të bashkëndahet kjo porosi dashurie e pakusht tek të gjithë njerëzit deri në skajet e botës, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. (krh. Mt 28,19)”.

“Në kulmin e misterit të Dashurisë së Hyjit, që kryhet në Treditëshin Pashkvor, ne bijtë e bijat e tija, nëpërmjet riteve të veçanta dhe lutjeve të shumta, lejojmë të na përfshijë misteri i mundimeve, vdekjes dhe ringjalljes së Zotit tonë Jezu Krishtit, me qëllim që të kuptohet misteri i kësaj ngjarjeje shpëtuese, që është dritë shprese për gjithë njerëzimin, zjarr dashurie e energji qëndrese për të pagëzuarit dhe burim gëzimi e hareje për mbarë Kishën. Kështu që, vetvetiu shpërthejmë në klithje të përbashkët: Aleluja. Pasi besojmë që Ai (Krishti) e mundi vdekjen dhe tani para Atit qiellor lutet për ne, nëpërmjet Shpirtit Shenjt në ne i jep lavdi Atij, e ne bashkë me të njëjtin Shpirt e adhurojmë të Ringjallurin. Kështu që, duke shpallur ngjalljen e Tij, secili që beson, thotë: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti.” (Gal 2, 20a). Pasi, “Hyji aq fort e deshi botën, sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur.” (Gjn 3,16)”.

“Këndej, të mos i përshtatemi parimeve të shekullit, por ta shndërrojmë e ta ripërtërijmë mendjen tonë, ashtu që ta dallojmë vullnetin e Hyjit e të dimë të zbulojmë çka është e mirë, çka është e drejtë, çka është e përsosur dhe çka është e shenjtë. (Krh. Rom 12,2), Mbi gjitha duhet të dimë çka është e dobishme për të arritur paqen në botë, e për të ruajtur paqen ndër ne. Sepse sot, si ata që jetojnë në zonat e konflikteve dhe përjetojnë tmerrin e vuajtjeve dhe vdekjes, ashtu edhe ata që kalojnë ditët e jetës në mungesë të luftës, mbeten të frikësuar e të trishtuar pasi e ndjejnë tmerrin e saj”.

“Lus Zotin e Ringjallur të na mbushë me paqe, me dashuri e me gëzim, në mënyrë që të jemi të gjithë njerëz të ndershëm, besimtarë besnik, qytetarë të përgjegjshëm, prindër të kujdesshëm, e të bëjmë vepra bamirësie për nevojtarët. Ta duam vendin tonë me të njëjtin zell siç e dëshironim lirinë, e të punojmë për ndërtimin e paqes sot, sikur u angazhuam ta arrinim atë”./Klankosova

Read Previous

Sekuestrohen armë zjarri në fshatin Cermjan

Read Next

Bislimi nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërkufitar me Malin e Zi