Vetëvrasja konsiderohet ende krim në 20 vende dhe dënohet me gjoba ose deri në tre vjet burg, ka zbuluar një hetim i fundit.
Në shumë vende fëmijët mund të ndiqen penalisht për tentativë vetëvrasjeje, ndërsa në Nigeri, fëmijët deri në shtatë vjeç mund të arrestohen, gjykohen dhe ndiqen penalisht, thuhet në raportin e United for Global Mental Health, një grup që bën thirrje për dekriminalizmin dhe financohet nga fondacioni Bill & Melinda Gates. 20 vende të tjera e bëjnë vetëvrasjen të dënueshme sipas ligjit të sheriatit.
“Kriminalizimi i vetëvrasjes është joproduktiv, nuk i pengon njerëzit të marrin jetën e tyre,” tha Sarah Kline, bashkëthemeluese e United for Global Mental Health. “Kjo i pengon njerëzit të kërkojnë ndihmë në një moment krize akute dhe mund t’i parandalojë të marrin mbështetjen e nevojshme për shëndetin e tyre mendor.”
Dr. Lakshmi Vijayakumar, një psikiatre në Chennai, Indi dhe themelueese e një organizate për parandalimin e vetëvrasjeve, ka parë ndikimin negativ të ligjeve që kriminalizojnë vetëvrasjen. Ajo beson se legjislacioni kontribuon në stigmën dhe diskriminimin rreth shëndetit mendor.
“Këto ligje nuk janë teorike. Ato prekin drejtpërdrejt njerëzit më të prekshëm në vendet më të prekshme,” tha ajo për Guardian, duke shtuar se legjislacioni ekziston në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, ku ndodhin 77% e vetëvrasjeve.
Një e mbijetuar që kishte tentuar të vriste veten, me banim në Pakistan, e cila kërkoi të mbetet anonim, tha për Guardian se policia erdhi në shtëpinë e saj për ta arrestuar.
“Unë u ndjeva fajtore dhe budallaqe për përpjekjen për vetëvrasje. Plus çfarë e bëri më keq situatën ishte mënyra se si policia e trajtoi atë. Ata poshtëruan tim atë vetëm në mënyrë që të mund të merrnin para prej tij. Fjalët e [oficerit të policisë] ishin: ‘Ose vajza jote do të shkojë në burg ose ti.’”
Babai përfundoi duke paguar ryshfet për të ndaluar veprimet e mëtejshme.
Çdo vit, më shumë njerëz vdesin si rezultat i vetëvrasjes në krasim me vdekjet nga HIV, malarja, kanceri i gjirit apo edhe lufta.
Burimet: Guardian, NCBI, OBSH/Anabelmagazine