Vetëm në 24-orët e fundit, në Kosovë janë denoncuar shtatë raste të dhunës në familje. Dy nga burrat e denoncuar, me urdhër të prokurorit, janë liruar menjëherë.
Përmes raportit 24-orësh, Policia e Kosovës ka njoftuar për katër raste të dhunës në rajonin e Prishtinës dhe nga një në Pejë, Suharekë e Vushtrri.
Të arrestuarit për këtë vepër penale, pesë persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerë me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Madje, njëri nga burrat që i shkaktoi dhunë bashkëshortes dhe i shkaktoi lëndime për të cilat pranoi tretman mjekësore u lirua në procedurë të rregullt nga prokurori i rastit. Rasti ndodhi në Vushtrri.
Në procedurë të rregullt u lirua edhe një mashkull në Lipjan, që e dhunoi fizikisht dhe psiqikisht gruan e tij.
E sikur këto dy raste, në të shumtën e rasteve kur gratë i lajmërojnë burrat e tyre për dhunë në familje, ata lirohen dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, të dielën një 18-vjeçare u dërgua pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt, pasi u dhunua fizikisht nga bashkëshorti i saj Dardan Krivaqa dhe Arber Sejdiu. Të dy janë arrestuar nga policia.
Rastet e raportuara për dhunë në familje në 24-orët e fundit:
Fushë Kosovë (NN) 23.08.2021–00:36. Viktima femër, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet.
Fushë Kosovë 13.08.2021 –NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti i kishte dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese viktimës femër kosovare ish bashkëshortes së tij. Në konsultim me prokurorin i dyshuari dërgohet në mbajtje.
Lipjan 23.08.2021–19:15. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar bashkëshorti i saj është duke i shkaktuar dhunë fizike dhe psiqike. I dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar ,rasti shkon në procedurë të rregullt.
Prishtinë (NN) 23.08.2021–21:00. Në bazë të urdhëresës është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer vepre e cekur më lartë. Në konsultim me prokurorin i dyshuari dërgohet në mbajtje.
Suharekë 22.08.2021 –19:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj, përmes telefoni i dyshuari e kishte kanosur. Në lidhje me rastin i dyshuari është arrestuar pas intervistimit në konsultim me prokurorin i dyshuari është dërguar në mbajtje .
Pejë 23.08.2021 –18:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti e ka sulmuar viktimë femër kosovar duke i shkaktuar lëndime trupore . Pas intervistimit në konsultim me prokurorin i dyshuari dërgohet në mbajtje .
Vushtrri 22.08.2021 –21:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje bashkëshorti i saj e kishte përdorur dhunë ndaj saj. I dyshuari është arrestuar, viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
/Reporteri/