Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Ferrit, është mbajtur mbledhja komemorative në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në të cilën është kujtuar vepra e tij, ndërsa të pranishmit kanë bërë edhe homazhe.
Në fjalën e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja ka theksuar se Republika jonë është e artit dhe veprave si shkak i artistëve siç është Rexhep Ferri.
Kraja ka thënë se Ferri ka zënë një vend nderi në historinë e artit të Kosovës.
“Në të vërtetë akademik Ferri dhe të tjerët të gjeneratës së tij, gjeneratë e artë që krijuan vetësinë e Kosovës para se të fillonte çdo lëvizje tjera politike, vetësinë e identitetit dhe të artit, e cila doemos që një ditë duhej të prodhonte atë që sot e quajmë me mburrje Republikë e Kosovës. Duke ju falënderuar pikërisht kësaj gjenerate, Republika jonë është edhe artit, dinjitetit njerëzor dhe vlerave humane…Për veçantitë e artit të Ferrit do të shkruhet edhe në të ardhmen, por, ai ka tashmë ka zënë një vend nderi në historinë e artit tonë dhe historinë e këtij institucioni”, tha Kraja.
Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka derisa ka kujtuar figurën e tij, ka thënë se nga veprat e intelektualit Ferri do të mësojnë të gjithë brezat, ndërsa ka shtuar se i njëjti do të kujtohet përherë si artisti më i veçantë.
“Kreshniku e patriot, Rexhep Ferri nuk do të na lë dot. Vepra e tij është shumë e madhe, ai do të na përcjellë të gjithë neve që patëm fatin e madh të njohim nga afër, por edhe gjitha brezat e rinj që kanë shumë për të mësuar nga ai. Sot nuk jemi mbledhur këtu për të kujtuar vetëm një artist, por jemi këtu, sepse një intelektual i shquar do të vazhdojë të na ndriçojë rrugën e mendimit. Do të kujtohet përherë si artisti modernist, si artisti më i veçantë. Ai pikturoi rreth shtatë dekada, tani piktura e tij do të flet panumërt dekada për të. Arti i tij është pasqyrim i përjetshëm i qenies sonë kombëtare. Rexhep Ferri e dashuronte dhe e vajtonte shqiptarin historik, qëndresa e popullit tonë ka trajtën e siluetave të Rexhep Ferrit, na la aq shumë vepra e veprimtari, sa ngushëllimi i gjithë popullit të Kosovës do të jetë i mbushur me pikturat e tij. Do ta kujtoj me mall, sepse tashmë më mungon, por, do ta përmendi me gëzim sepse kam shume kujtime. Ai me miqtë e tij të shëtitjes të mëngjesit, unë me vajzën time të vogël në Parkun e Qytetit, figurë që me ta shikuar hidhte rrëfimin e tij në prapavijën tonë “, tha Kurti.
Kurse, përfaqësuesi i familjes Ferri, Naser Ferri ka thënë se sot përveç familjes edhe për mbarë shqiptarinë është ditë e dhimbshme, pasi vendi ka humbur një intelektual të shquar.
Ai është shprehur se piktori Ferri pas vetes ka lënë një veprimtari të pastër artistike për të gjitha gjeneratat.
“Sot për familjen Ferri, por edhe për mbarë shqiptarinë është një ditë e dhimbshme. Rexhep Ferri i kishte të gjitha atributet e përmendura, por mbi të gjitha ishte një intelektual i lartë, krijues i madh në fusha të ndryshme të artit. Familja Ferri e humbi personin rreth të cilit mblidheshin gjithë familja, ndërsa nga sot kultura mbarë shqiptare është më e varfër nga një krijues i madh”, tha Ferri.
Rexhep Ferri u lind në Kukës më 1937. Në vitin 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa në vitin 1966 u diplomua në degën e pikturës të Akademisë së Arteve në Beograd. Në periudhën 1974-2005 ishte pedagog në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i kësaj Akademie.
Ka botuar libra me poezi, romane, ese. Veçohen nëntë tituj të përmbledhur në veprat e zgjedhura letrare.
Më 1971 mori Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, iu dha titulli Qytetar Nderi i Vlorës.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u hap ekspozita tij personale me veprat e zgjedhura. Po në Akademi u botua edhe monografia për veprën e tij./kp