A jemi të vetmit në univers? Ishte një nga pyetjet më thelbësore që ekspertët shkencorë dhe të matematikës kanë menduar për dekada.
Dhe kjo është një temë që duket se do të jetë në agjendë edhe një herë këtë verë ndërsa Pentagoni përgatitet të publikojë një raport ‘bombë’ gjatë këtij muaji në lidhe me UFO. Në të njëjtën kohë, kreu i ri i agjencisë hapësinore NASA po lejon studiuesit të hulumtojnë fenomenin e objekteve të paidentifikuara fluturuese.
Edhe ish-presidenti amerikan, Barack Obama, është kyçur në debat, duke konfirmuar se ekzistojnë “pamje dhe regjistrime” të objekteve të paidentifikuara. Kur u mor në pyetje në emisionin Late Show, ai shtoi: “Kur bëhet fjalë për alienët, ka gjëra që thjesht nuk mund t’ju them në transmetim”.
Kreu i ri i NASA-s, Bill Nelson, i cili ishte vetë astronaut, i tha CNN-it se ai do të lejojë shkencëtarët e agjencisë të eksplorojnë objektet e paidentifikuara me shpejtësi të lartë që janë parë brenda atmosferës së Tokës nga pilotët ushtarakë amerikanë gjatë viteve.
“Nuk e dimë nëse është jashtëtokësore. Nuk e dimë nëse është armik. Ne nuk e dimë nëse është një fenomen optik,” tha Nelson për CNN.
“Ne nuk mendojmë se është një fenomen optik për shkak të karakteristikave që përshkruan ata pilotë avionësh të marinës … dhe kështu që fundja ne duam ta dimë.”
Ai tani po krijon një task forcë zyrtare për të lejuar shkencëtarët e NASA-s të eksplorojnë aspekte të ndryshme të objekteve të paidentifikuara.
Jackie McGuinness, sekretari i shtypit i NASA-s, gjithashtu tha për CNN: “Ky është një fenomen vërtet interesant dhe amerikanët janë qartë të interesuar për të, kështu që nëse shkencëtarët duan të hetojnë, duhet ta bëjnë këtë”.
Raporti i pritur i inteligjencës, i deklasifikuar, në lidhje me ato që duket të jenë objekte të paidentifikuara nga Pentagoni, pritet të publikohet më 25 qershor.