Ministria e Arsimit e udhëhequr nga Arbërie Nagavci, të enjten e 23 majit ka përgatitur një dosje të tenderit për të kontraktuar ekspert që do të monitorojnë mediat në Kosovë.
I kontraktuari, sipas kësaj Dosje të Tenderit e përgatitur në cilësinë e Shërbimeve të Veçanta për Ministrinë e Arsimit, do të jetë përgjegjës për monitorimin dhe analizimin e paraqitjes së Ministrisë dhe titullarit – në këtë rast të Arbërie Nagavcit – në media.
Përveç kësaj, eksperti do të jetë përgjegjës për monitorimin e lajmeve të cilat atakojnë institucionin që ndërlidhen me proceset në arsim.
I kontraktuari, sipas kësaj Dosje të Tenderit, do të përgatisë edhe raport ditor nga monitorimi i mediave me qëllim për të shpërndarë stafit drejtues.
Drejtoresha Ekzekutive e organizatës joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO), Albulena Nrecaj, ndërsa ka kritikuar këtë Dosje të Tenderit, e ka cilësuar këtë iniciativë si shpërdorim i parasë publike dhe shpërdorim i detyrës zyrtare.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me paranë publike po dëshiron të paguajë ‘EKSPERT’ për monitorimin e mediave që atakojnë Ministrinë dhe titullarin (lexo MINISTREN) dhe me përgatitë raporte ditore me të dhënat se kush po e kritikon më shumë Ministren”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.
Ajo ndër të tjera ka kërkuar që Ministria e Arsimit ta anulojë këtë tender./Albanianpost.com