Myslimanët festojnë Kurban Bajramin

Miliona besimtarë myslimanë sot në mëngjes iu drejtuan xhamive në mbarë botën për faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme për myslimanët. Festa simbolizon përkushtimin ndaj Zotit, bindjen dhe besimin, por është gjithashtu një moment për reflektim shpirtëror dhe mirënjohje.

Kurban Bajrami është festë që shënon kulmin e Haxhit dhe mbahet në muajin e fundit të kalendarit islam. Miliona myslimanë në Mekë kryejnë ritet e Haxhit, e të tjerët festojnë Kurban Bajramin me falje të namazit dhe therjen e kurbanit.

Për këtë ditë, besimtarët therin edhe një kafshë dhe ndajnë mishin me familjen, të afërmit dhe më të varfrit. Agjencia e Ushqimit ka bërë thirrje që therjet rituale të bëhen vetëm në thertoret e aprovuara nga kjo agjenci. AUV-i ka paralajmëruar se pos që është shkelje ligjore, therja e kurbaneve jashtë këtyre objekteve është edhe rrezik për shëndetin e përgjithshëm publik.

“Kurban Bajrami është festë fetare, por megjithatë bart në vete mesazhe të thella shoqërore e atdhetare. Festa e Bajramit s’kufizohet vetëm në adhurim, por kontribuon në forcimin e vlerave që ndërtojnë shoqërinë dhe forcojnë atdheun. Prandaj themi se kjo festë forcon ndjenjën e bashkësisë dhe vëllazërisë mes nesh, e që është bazë për shoqëri dhe shtet të qëndrueshëm”, ka thënë myftiu Naim Tërnava, në urimin e tij në natën e Kurban Bajramit.

Read Previous

​Sot mot me diell

Read Next

Tërnava: Kurban Bajrami na mëson sakrificën për ta ruajtur atdheun