Mungesa e tavanit në çmimin e gazit vë në dukje mungesë solidariteti brenda BE-së

Këshilli i sotëm i jashtëzakonshëm i Energjisë, i treti që nga korriku, premton të jetë i tensionuar me ndarje të forta midis Shteteve Anëtare dhe Komisionit të BE-së.

Kufiri i çmimit (price cap) të gazit të importuar në BE nuk do të jetë në tryezën e ministrave, nuk është ndër opsionet e parashikuara nga Komisioni, pavarësisht kërkesës për një propozim nga 15 shtete anëtare, duke përfshirë Italinë, Francën, Spanjën, Poloninë dhe Belgjikën .

Midis tyre nuk është Gjermania e cila, skeptike për kufirin e çmimit të gazit, e luan lojën e saj e vetme, falë hapësirës buxhetore: të enjten, kancelari Olaf Scholz shpalli një mburojë për të frenuar çmimet e gazit, nëpërmjet një investimi prej 200 miliardë eurosh.

Mes kancelarive evropiane ka pakënaqësi të shumta. Për shumë prej tyre Komisioni është rrafshuar me pozicionet gjermane. Për shumë prej përfaqësuesve evropianë presidentja Von der Leyen ka injoruar letrën e 15 vendeve në lidhje me kufirin e çmimit të gazit.

Një zgjedhje e përjetuar si një akt bullizmi, e kryer me bashkëpunimin e holandezëve dhe e vendosur pasi ajo kishte bërë gjithçka për të frenuar kufirin e çmimit. Kështu aludoi një zyrtar i Brukselit mëngjesin e djeshëm, kur pranoi se “disa vende anëtare po bëhen gjithnjë e më nervoze”.

Tensioni është aq i lartë sa burimet diplomatike e përkufizojnë lëvizjen e gjermanëve si “të njëanshme dhe anti-solidale”. Dhe ato që paraqiten si ndihma shtetërore – mbi të cilat BE-ja është thirrur të monitorojë – mund të kenë pasoja: sepse, në mungesë të solidaritetit evropian, Italia prsh. mund të vendosë të mos ndajë rezervat e depozituara të gazit dhe të mbyllë rubinetin, duke krijuar jo pak problem për Berlinin.

Lëvizja e Berlinit u kritikua nga kryeministri Mario Draghi, i cili ka më shumë se gjashtë muaj që i kërkon Brukselit një tavan mbi çmimin e gazit.

Dje pas njoftimit të Olaf Scholz për “mburojën” prej 200 miliardësh Draghi e konsideron një “gabim të trefishtë serioz” pasi minon solidaritetin evropian, deformon tregun dhe do të çojë në shpërthim të borxhit gjerman pa zgjidhur problemin”.

Tani për tani duket qartë konflikti që do të ndodhë në samitin e Pragës.

“Kriza energjetike”, tha Draghi “kërkon një përgjigje nga Evropa që të mund të lejojë uljen e kostove për familjet dhe bizneset, për të kufizuar përfitimet e jashtëzakonshme të prodhuara nga prodhuesit dhe importuesit, për të shmangur shtrembërimet e rrezikshme dhe të pajustifikuara të tregut të brendshëm dhe për të mbajtur Evropën të bashkuar edhe një herë përballë emergjencës”.

Sipas Komisionit, tavani i çmimit të gazit të importuar në BE është “një masë radikale që sjell rreziqe të rëndësishme lidhur me sigurinë e furnizimeve me energji”.

Në dokumentin jozyrtar që do të jetë në tryezën e ministrave sot (javën e ardhshme do të prezantohet një plan veprimi), ekzekutivi Unionit propozon zgjidhje që gjithsesi rëndon mbi buxhetet kombëtare: një tavan për çmimin e gazit për prodhimin e energjisë elektrike (sipas modelit të ai i përdorur nga Spanja dhe Portugalia) dhe një tavan në çmimin e gazit rus, i cili tani përbën vetëm 9% të konsumit të BE-së.

Megjithatë, me furnizuesit që konsiderohen të besueshëm, Komisioni propozon që BE-ja të marrë përsipër të arrijë një mirëkuptim të përbashkët në një kohë të arsyeshme për të ulur çmimet, duke ruajtur sigurinë e furnizimit dhe duke zhvilluar partneritete të qëndrueshme afatgjata energjetike.

Ai gjithashtu propozon zhvillimin e një standardi të ri për gazin natyror të lëngshëm bazuar në transaksione në vend të Ttf në Amsterdam, vlera që aktualisht përdoret si referencë për përcaktimin e çmimit të gazit në Evropë.

Sipas një burimi të BE-së, propozimi i Komisionit “është një vlerësim i balancave, avantazheve dhe rreziqeve. “Nuk mendoj se po u themi jo 15 vendeve anëtare”, shpjegoi ai “por le të themi se është më mirë të vendoset një kufi çmimi për gazin rus dhe të negociojmë” çmimet me furnizues individualisht sepse “misioni ynë është të gjejmë masa që janë efektive për të gjitha vendet”.

Çështja sigurisht që do të trajtohet gjithashtu nga udhëheqësit e BE-së në Këshillin Evropian jozyrtar në Pragë më 7 tetor.

Sot, nga ana tjetër, do të miratohet rregullorja e Këshillit që prezanton shkurtime në konsumin e energjisë elektrike, me fleksibilitet më të madh për shtetet sesa propozimi origjinal, kufizime në të ardhurat shtesë për ata që prodhojnë energji elektrike nga burime me kosto të ulët si burimet e rinovueshme, bërthamore dhe qymyri, një kontribut solidariteti për kompanitë e naftës dhe gazit. /Albanianpost.com

Read Previous

​Infantino takohet me presidenten Vjosa Osmani

Read Next

Cili është qyteti ku nuk lejohet të vdesësh?