Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Armend Muja tha se qëllimi bllokadës është që të mos formohet Qeveria Kurti 3. Ai tha se deputetët e opozitës së deritanishme po vijnë në Kuvend dhe nuk po votojnë fare.
Ai pas dështimit të tridhjetë të konstituimit të Kuvendit tha se deputetët e partive tjera politike po shkelin zakonin kushtetues të Kosovës.
“Këta [deputetët e partive tjera politike] ka 22 herë që vijnë këtu edhe nuk votojnë fare. Çështja është pse po vijnë kur nuk votojnë fare. Sepse është hera e 22-të që deputetët e opozitës i ikin obligimeve kushtetuese dhe në vetvete kjo paraqet shkelje të aktvendimin ose zakonit kushtetues të Republikës së Kosovës. Jemi hyrë në javën e pestë kur po ashtu nga opozita ka shkuar kërkesa në Gjykatën Kushtetuese për një kërkesë për aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votimin e fshehtë dhe jemi në javën e pestë dhe po presim këtë aktvendim. Ajo çfarë është e rëndësishme e them me përgjegjësi të plotë që qëllimi i bllokadës është qëllim në vetvete. Mjerisht deputetët e opozitës vijnë këtu me qëllimin e vetëm: që të bllokojnë konstituimin e Kuvendit me qëllim që të bllokohet formimi i Qeverisë Kurti 3”, deklaroi ai.
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituar as pas tentimit të 30-të, të mërkurën më 11 qershor.
Në vazhdimin e seancës konstituive – që ka nisur më 15 prill – të pranishëm sot ishin 93 deputetë. Sërish nuk arriti të votohet formimi i një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit – propozim ky i Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa. /KosovaPress/