Kryeministri Kurti ka refuzuar vaksinat kineze të dhuruara nga Shqipëria në atë që besohet se mund të jetë një hatërmbetje personale me kryeministrin Edi Rama. Por, sa është efektshmëria e këtyre vaksinave?
Më poshtë keni artikullin e botuar në EuroNews:
Referuar një studimi të Universitetit të Kilit, ku efektshmëria e Sinovac nuk është në nivelet e duhura, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli u shpreh se duhet marrë në konsideratë metodologjia e studimit, teksa theksoi se vaksina kineze e parandalon vdekshmërinë në 100%.
Gazetarja Loneta Progni, përmendi të dhënat e këtij studimi që thotë se pas dozës së parë vaksina kineze është 3% efektive deri në 28 ditë dhe pas marrjes së dozës së dytë, efektshmëria është 56.5%.
Studimi që është bërë në një nga vendet më të zhvilluara sa i takon procesit të vaksinimit, siç është Kili, flet për një efektshmëri prej 27.7% brenda dy javëve pas marrjes së dy dozave.
Zv. ministrja e Shëndetësisë sqaroi për Euronews Albania se faza e tretë e studimit për vaksinën kineze është bërë në Brazil ku rezultoi se efektshmëria është 50.6%, në një kohë që studimi i bërë në Indonezi e nxori mbi 87%.
“E njëjta vaksinë por çfarë ishte marrë parasysh dhe çfarë do të thotë efektivitet, pra këtu duhet të kapemi. Efektiviteti është në radhë të parë, në sa vaksina parandalon humbjen e jetës dhe sa i përket parandalimit të humbjeve të jetës, në të gjitha studimet, përfshirë dhe atë të Universitetit të Kilit, vaksina kineze e ka efikasitetin 100%,” – u shpreh Rakacolli.