Motta: Jemi mirë fizikisht dhe mentalisht, fitorja kundër Manchester City na motivon shumë

Para sfidës së sotme kundër Venezia në kampionat, Thiago Motta, trajneri i Juventusit, ka folur në konferencën për shtyp, ku ka prekur disa tema lidhur me formën e skuadrës dhe sfidat e ardhshme.

Për moralin pas fitores ndaj Manchester City: “Jemi mirë fizikisht dhe mentalisht. Natyrisht, një fitore kaq e rëndësishme ndihmon për moralin, por grupi është tashmë i fokusuar te ndeshja e radhës. Është e rëndësishme që ta mbajmë këtë ritëm dhe mentalitet”.

Ndeshja kundër Venezia si një provë e pjekurisë së bardhezinjve: “Qasja jonë nuk ndryshon kurrë; respektojmë çdo kundërshtar dhe hyjmë në fushë me idenë për të dhënë më të mirën. Sot duhet të bëjmë një ndeshje të shkëlqyer, me përulësi dhe seriozitet”.

Trajneri bëri përditësime mbi dëmtimet e Cambiaso dhe Nico Gonzalez: “Tashmë dihet se nuk janë të gatshëm Bremer, Cabal, Milik dhe Rouhi, i cili ka një dëmtim muskulor jo të rëndë. Cambiaso nuk është ende i gatshëm, ndërsa Nico Gonzalez është rikthyer me grupin. Ai është i lumtur, ka punuar shumë për t’u vënë në dispozicion. Shpresoj të mund t’i jap minuta nda Venezia”.

Për formatin e ri të Ligës së Kampionëve dhe Vlahovic: “Formati i ri i Ligës së Kampionëve është novator për të gjithë, ndryshon qasjen dhe mënyrën e menaxhimit të ndeshjeve. Duhet të përshtatemi për ta luajtur çdo ndeshje në maksimum, pa bërë shumë llogari.

Sa i përket Vlahovic, ai ka bërë shumë mirë, sidomos në pjesën e dytë kundër City. Në fillim bëmë disa gabime, por në pjesën e dytë u përmirësuam, edhe ai tregoi cilësi të mëdha. Jam i lumtur për paraqitjen e tij, sot do të ketë mundësinë të bëjë përsëri mirë”. /Telesport.al/

Read Previous

Shqipëria mban konferencën e tretë ndërqeveritare në Bruksel më 17 dhjetor

Read Next

Dronët ukrainas kanë goditur një depo nafte në qytetin rus Orel