Mosmiratimi i ligjeve në Kuvend, pozita e opozita fajësojnë njëra-tjetrën

Mungesa e deputetëve në seanca ka bërë që të dështojë miratimi i ligjeve me rendësi në Kuvendin e Kosovës.

Pushteti e opozita fajësojnë njëra-tjetrën për mosbashkëpunim, duke konsideruar se krejt kjo po ndodh për inate politike dhe se krejt kjo po shkon në dëm të qytetarëve.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku u ka bërë thirrje deputetëve opozitar që t’i përkrahin iniciativat ligjore ngase po cenohet interesi i qytetarit.

“Nuk është ratifikuar miratimi i një marrëveshje tejet të rëndësishme që ka të bëjë me mirëqenie sociale ku për reformimin e skemës sociale ku do të përfitonin qytetarët. Inkurajojë deputet opozitar që kur janë çështjet me prioritet për jetën e qytetarëve që ti përkrahin ato iniciativa qoftë ligjore apo plotësim ndryshime të ligjeve sepse aty po preket interesi i qytetarit. I kuptoj inatet politike, por po dëmtohen qytetarët”, ka thënë ajo për Ekonomia Online.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, theksoi se secili projektligj që shkon në Kuvendin e Kosovës dhe që nuk votohet është në dëm të qytetarëve.

Sipas saj, mosvotimi i projektligjeve është përgjegjësi e Qeverisë sepse e kanë shumicën në Kuvend.

Ajo kujton kohën kur VV-ja oshte në opozitë e nuk përkrahte iniciativat e partive të tjera në pushtet.

“Në kohën kur kemi qenë pozitë dhe VV në opozitë ka votuar gjithmonë kundër dhe nuk ka marrë pjesë në votime tani këta e kanë obligim dhe përgjegjësi edhe për këtë rast qytetarët kanë pasur kohë mjaftueshëm për të analizuar se a e kanë merituar një Qeveri populiste siç është Kurti 2”.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, tha se nuk është përgjegjësi e opozitës, por mazhorancës që të funksionojnë Parlamenti dhe të miratohen ligjet.

Mes tjerash, Lekaj potencoi se nëse vazhdohet me këtë injorancë nga mazhoranca, nuk ka kuptim që kjo Qeveri të vazhdojë punën. /Albanianpost.com

Read Previous

Ministri Latifi kërkon liberalizim të vizave: Mjekët kanë nevojë të lëvizin

Read Next

Dashuria e Dijës për Shpendin në romanin ‘Sikur të isha djalë’