Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të mos e lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Në një postim në rrjetin social X, Rama e cilësoi këtë vendim si një “poshtërim të ri” dhe kritikoi ashpër Gjykatën Speciale, duke e akuzuar për shndërrimin e drejtësisë ndërkombëtare në një farsë.
“Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturpshëm, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Parlamentit të Kosovës në bumerangun më brutal!”– shkroi Rama.
Haxhi Thaçi, babai i ish presidentit Hashim Thaçi, i cili u nga jeta të dielën e 16 marsit, në orët e vona, do të varroset sot.
Atij do t’i jepet lamtumira e fundit në varrezat e reja të fshatit Burojë në Skenderaj, nga ora 15:00. /GazetaSinjali/