Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur përmes njoftimit që nuk ka marr rekomandim nga Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive për mos licencimin e Federatës së Futbollit të Kosovës si dhe federatave tjera që janë në proces të verifikimit.
Ata përmes përgjigjes zyrtare bënë të ditur procesin e licencimit :
Më poshtë është përgjigja e plotë:
“I/e nderuar,
Procesi i licencimit të federatave sportive është i rregulluar me Udhëzimin Administrativ Nr.01/2022 i cili përcakton kushtet, kriteret, procedurat e aplikimit si dhe organet kompetente për themelimin dhe organizimin e procesit të licencimit të të gjitha federatave sportive nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Federatat sportive janë entitete të organizuara mbi bazën e vullnetit të lirë të anëtarëve të tyre, të cilët subjektivitetin juridik e fitojnë me rastin e regjistrimit në organin kompetent për zbatimin e ligjit në fuqi për lirinë e asociimit si dhe në momentin e licencimit të tyre në MKRS nëse i plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Ligjin në fuqi për Sport si dhe kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Udhëzimin Administrativ Nr.01/2022 për Kushtet, Kriteret dhe Procedurat e Themelimit, Licencimit dhe Ri-vlerësimit të Federatave dhe Organizatave Sportive.
Me qëllim të krijimit të mjedisit të përshtatshëm për zhvillimin e sportit, licencimi i federatave sportive organizohet dhe zhvillohet duke u bazuar në parimet e ligjshmërisë, transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të autonomisë funksionale, lirisë së asociimit dhe të drejtës për grumbullim vullnetar të anëtarëve të federatës, respektivisht klubeve dhe shoqatave anëtare në federatën përkatëse. Federatat sportive mund të licencohen, përkatësisht të fitojnë cilësinë e federatës sportive me plotësimin e kushteve dhe kritereve të përgjithshme dhe specifike të parapara me Udhëzim Administrativ. Këto kushte dhe kritere janë të ndërtuara mbi Ligjet që janë në fuqi në Republikën e Kosovës relevante me sektorin e sportit duke përfshirë: dokumentacionin bazë që dëshmon ligjshmërinë dhe funksionimin e mirëfilltë të subjektit, aktet normative plotësisht të harmonizuara me ligjet në Kosovë dhe me statutin dhe rregulloret e federatave ndërkombëtare repsektive, si dhe dokumentacionin e anëtarëve (klubeve dhe shoqatave) me të drejta të plota apo të pjesshme në federatën përkatëse.
Procedura e licencimit të federatave sportive, fillon në momentin e parashtrimit të kërkesës për licencim të federatës nga themeluesit e subjektit apo nga personi i autorizuar ligjërisht prej saj në Komisionin Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS) ashtu sic është e përcaktuar me Udhëzim Administrativ. KVLFS është organ kolegjial i autorizuar për shqyrtimin e kërkesave të federatave sportive për dhënien, refuzimin apo revokimin e licencave në fushën e sportit.
KVLFS bënë shqyrtimin e dokumentacionit të arkivuar nga federata sportive dhe në momentin e plotësimit të kushteve dhe kritereve për licencim, lëshon rekomandimin për dhënien e licencës nga Ministri i MKRS-së. Në rastet kur KVLFS konstaton se dokumentacioni i federatës është i pakompletuar, atëherë kontaktohet personi i autorizuar i federatës i cili ka paraqitur kërkesën për licencim me qëllim të informimit për dokumentacionin shtesë të cilin duhet plotësuar nga federata përkatëse. Afati për plotësimin apo përmirësimin e dokumentacionit nuk mund të jetë më i shkurt se 8 ditë, dhe jo më gjatë se 30 ditë punë.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ashtu sikur edhe 16 federata tjera sportive (Federata e Golfit të Kosovës, Federata e Boksit të Kosovës, Federata e Shahut të Kosovës, Federata e Badmintonit të Kosovës, Federata e Kajakimit të Kosovës, Federata e Auto Sporteve të Kosovës, Federata e Sportit për të Verbëritë, Federata e Tenisit të Kosovës, Federata e Skijimit të Kosovës, Federata e Shenjëtarisë së Kosovës, Federata e Karatesë së Kosovës, Federata e Ciklizmit të Kosovës, Federata e Ragbit të Kosovës, Federata e Gjimnastikës së Kosovës, Federata e Muai Thai e Kosovës, dhe Federata e Veteranëve të Edukimit Fizik) janë në proces të licencimit në MKRS. KVLFS ka shqyrtuar aplikimin e FFK-së sikur edhe të federatave tjera sportive, dhe ka kthyer komentet me dokumentin përkatës në të cilin janë evidentuar në hollësi të gjitha kërkesat e komisionit për plotësim-ndryshimin e dokumentacionit aplikues nga federata në përputhje me kushtet dhe kriteret e parapara në Udhëzimin Administrativ Nr.01/2022 për Kushtet, Kriteret dhe Procedurat e Themelimit, Licencimit dhe Ri-vlerësimit të Federatave dhe Organizatave Sportive.
Andaj, deri më tani, KVLFS, ashtu si për FFK-në as edhe për një federatë tjetër nuk ka lëshuar asnjë rekomandim tek Ministri Ceku për refuzim të dhënies së licencës për federatat sportive. KVLFS me të gjitha kapacitetet e tyre janë të hapur për bashkëpunim reciprok në këtë proces që është tërësisht dhe vetëm ligjor. Përveq takimeve të organizuara me të gjitha federatat sportive në fillim të hapjes së aplikimit për licencim, takime të cilat kanë pasur për qëllim informimin e detajuar të palëve për procesin e licencimit, në të gjitha rastet, pa përjashtim, federatat sportive janë përkrahur sa herë është kërkuar për sqarime shtesë në funksion të licencimit të tyre.
Në procesin e licencimit të të gjitha federatave sportive të cilat kanë aplikuar për licencim si dhe për ato të cilat do të aplikojnë në të ardhmen janë duke u aplikuar të gjitha kriteret ligjore që janë aplikuar tek 9 federatat sportive të cilat tashmë janë licencuar nga MKRS.
Deri më tani (me datën 22/12/2022) në MKRS janë licencuar 9 federata sportive përfshirë këtu:
- Federatën e PingPongut të Kosovës;
- Federatën e Xhudos së Kosovës;
- Federatën e Hendbollit të Kosovës;
- Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës;
- Federatën e Mundjes së Kosovës;
- Federatën e Triathlonit të Kosovës;
- Federatën e Volejbollit të Kosovës;
- Federatën e Basketbollit të Kosovës; dhe
- Federatën e Atletikës së Kosovës.
Me marrjen e licencës në MKRS, federatat sportive dhe të gjithë anëtarët e tyre fitojnë të drejtën e përfitimeve dhe bartjen e obligimeve të cilat burojnë nga Ligji për Sport, Ligji për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Tjera Negative në Sport, Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe nga të gjitha ligjet tjera të cilat janë në fuqi në Republikën e Kosovës”