Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në rajon do të mirëpriten mbrëmjen e së hënës së 21 gushtit, në orën 20.15, nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në Megaro Maximos, në një darkë joformale për zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit, me rastin e 20 vjetori i Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklarata e Selanikut”.
Pjesë e takimit, nga sa është raportuar prej mediave greke, do të jenë edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Por, nga sa bëhet me dije, presidenti shqiptar, Bajram Begaj, i cili ka qenë i ftuar në ngjarje, i është përgjigjur negativisht ftesës.
Albanian Post ka kontaktuar me zyrën e shtypit pranë Presidencës lidhur me këtë çështje, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare.
Ndër të tjera, bëhet me dije se të pranishëm do të jenë edhe dy zyrtarët më të lartë të strukturës evropiane, Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, si edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në Athinë, konkretisht në hotelin “Britania e Madhe”, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ai i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, ai i Kosovës, Albin Kurti, do të takohen për të marrë pjesë në darkën joformale. Po ashtu, edhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Borgiana Christo dhe Presidentja e Moldavisë, Maya Sandu.
Shqipëria, e ftuar në nivel presidenti, nuk do të përfaqësohet, ndërsa lideri i Sllovenisë nuk ka mundur të përgjigjet pozitivisht.
Në diskutim do të marrin pjesë edhe liderët e vendeve të rajonit që janë anëtare të BE-së dhe më konkretisht, Kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, ai i Kroacisë Andrej Plenkoviç dhe i Rumanisë, Ion-Marcel Ciolakou.
/albanianpost/