Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka reaguar lidhur me marrëveshjen tashmë të ratifikuar në Parlament mes Shqipërisë dhe Italisë, sa i takon çështjes së emigrantëve, duke thënë se vetëm duke punuar së bashku, mund të gjenden përgjigjet e duhura për sfidat e sotme në Evropë.
Përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter, Rama theksoi se Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë, duke zgjedhur të veprojë si një vend anëtar i BE-së dhe duke rënë dakord të ndajë një barrë që Evropa duhet të përballojë e bashkuar, si një familje e tërë, përballë një sfide të guximshme që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta.
“Duke punuar së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, në vend që ta përdorni këtë çështje si lëndë djegëse për grindjet e brendshme politike që vetëm sa rrit ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt”, përmend kryeministri.
🇦🇱🤝🇮🇹The Parliament today ratified the agreement of cooperation against illegal migration between Albania and Italy! Albania is standing together with Italy by choosing to act like an EU member state and agreeing to share a burden that Europe should face united as a whole family…— Edi Rama (@ediramaal) February 22, 2024
Më tej, ai shton se asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të ndryshojë madhësinë e saj dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyra e të menduarit e kaluar nuk mund të sigurojë një shpëtim nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet.
“Vetëm një Evropë më e fortë, më e guximshme dhe më sovrane, besnike ndaj vetvetes mundet”, përmbyll Rama.
Votimi
Ka kaluar me votat e shumicës marrëveshja e emigrantëve me Italinë, në një seancë plenare, e cila ka zgjatur vetëm pak minuta, teksa projektligji për Amnistinë Penale është tërhequr nga votimi prej Partisë Socialiste.
“Surprizë” e këtij votimi, nëse mund të quhet i tillë, ka qenë votimi pro marrëveshjes nga ana e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, duke bashkuar votat me mazhorancës socialiste, edhe pse këto të fundit nuk ishin të domosdoshme.
Arsyetimi për këtë ka ardhur nga deputetja Mesil Doda, e cila pas seancës ka theksuar se ka një vendim të Kushtetueses mbi këtë çështje dhe kësisoj PDIU e mbështet, duke mbajtur parasysh edhe raportet miqësore mes Shqipërisë dhe Italisë.
Nga ana tjetër, tërheqja e të majtëve për Amnistinë Penale ka ardhur si pasojë e mungesës së votave për ta kaluar atë.
Partia Demokratike zyrtare e Lulzim Bashës, e kishte deklaruar një ditë më parë se nuk do të merrte pjesë në seancë dhe nuk do t’i bashkonte votat me PS-në, për sa kohë që propozimet e tyre nuk merren parasysh.
Një ligj socialistët e kaluan edhe sa i takon Zonave të Mbrojtura, pavarësisht se ka pasur kundërshti të madhe mbi këtë të fundit.
Për këtë, deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e ka quajtur krejtësisht të patolerueshëm këtë akt të Qeverisë, duke shtuar se kjo e fundit po punon vetëm për veten dhe jo për qytetarët, duke shkaktuar edhe dëme të mëdha.
Marrëveshja
Qeveria shqiptare, të martën e 7 nëntorit, ka zbardhur Protokollin e firmosur ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Kështu bëhet me dije se marrëveshja për strehimin e emigrantëve – të kapur në det nga Italia – në dy qendrat e ndërtuara në Shqipëri, do të zgjasë plot pesë vite.
Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.
Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.
Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.
Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.
Neni 4, që është pika kryesore e këtij protokolli thekson se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.
Kufiri maksimal i pritjes së së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.
Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare. /Albanianpost.com