Ministrja Arbërie Nagavci, ka folur për punën në sistemin e arsimit në të gjitha nivelet gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian.
Gjatë raportimit, ajo tha se në Kosovë është evidentuar përparim i dukshëm, por theksoi se cilësia në arsim është sfiduese.
Ndër të tjera, Nagavci përmendi rritjen e buxhetit si masë për arritjen e objektivave për 10 milionë euro.
“Atë çfarë kemi parasysh është përmirësimi i gjendjes dhe do të ndalem prej komenteve në lidhje me zhvillime pozitive rreth përmirësimit të edukimit primar. Është përmendur edhe për progresin në lidhje me arsimin e lartë. Përmendet që ka qenë një hap i mirë zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Cilësisë. Janë përmendur edhe organizimi trajnimeve për fëmijë me nevoja të veçanta. Hap i mirë është edhe ofrimi i mundësive të barabarta të të gjithë fëmijëve për qasje në arsim. Kemi dërguar tekstet për shkolla fillore dhe janë siguruar edhe tekste alternative. Kemi edhe shumë punë dhe e kemi marrë me shumë përkushtim. Cilësia në arsim është shumë sfiduese”.
“Në lidhje me buxhetin na është rritur për 10 milionë euro për vitin e ardhshëm, 5 milionë do të jenë investime në ndërtimin e çerdheve të reja. Me datën 25 do të hapet zyra e re për mbështetjen e studentëve për bursa. Këtë vit janë më shumë se 3 milionë euro për tekste. Ne kemi paraparë punësimin e 100 asistentëve për vitin 2022. Është ndarë buxheti për punësimin e asistentëve. Jemi duke punuar edhe për implementimin e mësimit dual. Sa i përket zbatimi të MSA-së janë udhëzimi administrativ, për transferim e teknologjisë dhe dijes, Projektligjin për arsimin e lartë dhe për akreditim. Sa i përket zbatimit të agjendës evropiane janë përmirësimin i cilësisë në sektorin e arsimit”.
/KlanKosova/