Ministrja Haxhiu dërgon komente në Kushtetuese për Ligjin për Byronë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet mbi pretendimet e partive opozitare kundër Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Haxhiu ka shkruar në Facebook se ata që e kanë keqpërdorur detyrën dhe janë bërë milionerë nga politika s’do të amnistohen.

“Përpjekjet disavjeçare të opozitës për të ndaluar konceptin e konfiskimit civil në Kosovë vazhdojnë, Sot, dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me pretendimet sërishme të opozitës kundër Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Duke qenë që për herë të dytë radhazi ky Ligj po kontestohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe kur tashmë kemi adresuar secilën kërkesë të Gjykatës në raport me të njëjtin, urojmë që Gjykatës nuk do t’i duhen sërish 16 muaj për të nxjerrë Aktgjykim. Siç e kemi thënë, ata që e kanë keqpërdorur detyrën e janë bërë milioner nga politika nuk do të amnistohen”, ka thënë Haxhiu.

Ndryshe, në 2024-n, Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“….Gjykata ka vlerësuar si në kundërshtim me Kushtetutën vetëm pjesë të saktësuara të katër (4) neneve të Ligjit të kontestuar, përkatësisht nenet 2 (Fushëveprimi), 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi), 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) dhe 34 (Procedura në shkallën e parë) të tij, marrë parasysh natyrën dhe rëndësinë e tyre, dhe faktin që pa ndryshimin dhe plotësimin e të njëjtave nga Kuvendi, Ligji i kontestuar është i pazbatueshëm, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Kushtetueses.

Vendimin e plotë të Kushtetueses mbi Ligjin për Byronë mund ta gjeni KËTU./BetimipërDrejtësi

Read Previous

Barduani: KFOR-i do të jetë i pranishëm te Ura e Ibrit deri në një zgjidhje politike mes Kosovës e Serbisë

Read Next

Agjencia e Statistikave të Kosovës: Çmimet e konsumit kanë pësuar rritje të ndjeshme