Ministrja Gërvalla dorëzon aplikimin e Kosovës për në Këshillin e Evropës

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kjo është bërë e ditur nga zyrtari i kabinetit të saj, Sharr Jakupi.

“Gërvalla sapo ka përfunduar takimet në Këshillin e Evropës, ku ka dorëzuar personalisht aplikimin. Qeveria e Kosovës ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës”, thuhet në publikim.

Ndryshe pak orë më parë në një mbledhje të jashtëzakonshme, Qeveria e Kosovës miratoi nismën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj.”, thuhet në njoftimin për media.

Paralajmërimi i mundësisë së aplikimit të Kosovës në KE ishte bërë muaj më parë. Muaji maj ishte paraparë si mundësi e veprimit të shtetit të Kosovës, për të aplikuar në Këshill.

Madje ishte njëri prej gazetarëve gjerman, Michael Martens i cili pati paralajmëruar se me largimin e Rusisë nga ky Këshill, Kosova do të tentojë të aplikojë për t’u bërë pjesë e shumë shteteve në Këshillin e Evropës.

Martens në shkrimin e tij në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, më tej thekson se Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim në KiE pas zgjedhjeve në Francë, ndërsa kjo pastaj mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023.

Ndryshe Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore. Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare. /Lajmi.net/

Read Previous

​Konjufca: Ka vullnet të shumë shteteve ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës

Read Next

Ideja e re nga Anglia, Nations League të kualifikojë skuadra në Euro 2028