Ministria e Shëndetësisë në Gaza e kontrolluar nga Hamasi po pezullon bashkëpunimin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila kishte ndihmuar në lehtësimin e evakuimeve me Spitalin Al-Shifa në veri të Gazës, sipas një deklarate nga një zëdhënës i ministrisë.
Njoftimi erdhi pas raportimeve se drejtori i spitalit ishte arrestuar nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) ndërsa evakuohej si pjesë e një autokolone të OBSH-së, shkruan CNN.
Zëdhënësi i ministrisë, Ashraf Al-Qidra deklaroi se një kolonë e OBSH-së nga Al-Shifa, në veri të enklavës, ishte ndaluar për disa orë të mërkurën në një operacion postblloku nga IDF në Gazën qendrore.
Disa stafe mjekësore ishin arrestuar, duke përfshirë Mohammed Abu Salmiya, drejtorin e Al-Shifa.
“Kombet e Bashkuara mbajnë përgjegjësi të plotë për këtë ngjarje dhe ne presim masat e duhura dhe urgjente nga ana e tyre për ta adresuar këtë”, tha ministria e drejtuar nga Hamasi.
“Ministria e Shëndetësisë vendos të ndërpresë koordinimin e plotë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për çështjen e evakuimit të të plagosurve të mbetur dhe ekipeve mjekësore derisa të dorëzohet një raport që shpjegon se çfarë ka ndodhur dhe të arrestuarit të lirohen”, shtohet më tej në deklaratë. /abcnews.al