Ministria e Shëndetësisë apelon për marrjen e vaksinës së tretë

Shifrat katërshifrore kanë zënë vend në raportet e ditëve të fundit të IKSHPK-së , sa i përket rasteve të reja me koronavirus.

Numra këta rekord për verën e këtij viti, ani pse të tilla pati edhe në fillimin e 2022-ës.

Megjithëkëtë, numri i të hospitalizuarve është i ulët, vetëm 56 pacientë të infektuar po trajtohen në QKUK dhe spitale rajonale.

Ndaj si shkak i kësaj, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se fryma e rritjes së rasteve është shqetësuese, mirëpo nuk ka vend për alarmim, veçse për rritje të shtuar të kujdesit.

Zyrtari për informim i këtij dikasteri, Faik Hoti, bëri thirrje për vaksinim, me theks të veçantë për marrjen e dozës së tretë, ngase siç tregon Hoti pothuajse asnjë qytetarë me dozën e tretë të vaksinës nuk është hospitalizuar, dhe se cikli i imunizimit nuk është i mjaftueshëm veç me dy vaksina.

Ai theksoi se meqë nuk ka ngarkesë spitalore, aktualisht nuk është e nevojshme marrja e masave të reja, veçse apelon për zbatimin e masave aktuale, si mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura dhe distanca.

Së fundmi, ky dikaster ka rekomanduar edhe imunizimin e moshave pediatrike, ku gjatë ditëve në vijim do të dilet me shifra të sakta të vaksinimit për këtë grupmoshë, si dhe atë të dozës së katërt mbi moshën 60 vjeç.

/KlanKosova/

Read Previous

Vala e të nxehtit në Evropë: Zjarret vdekjeprurëse përhapen në Mesdhe

Read Next

​Florian Marku, ndeshje në Shqipëri më 25 gusht