Ministri norvegjez: Incidenti në Veri tregon sa i rëndësishëm kthimi në dialog

Ministri i Mbrojtjes nga Norvegjia, Bjorn Arild Gram, pas takimit me homologun e tij nga Serbia, Millosh Vuçeviç, ka theksuar se shteti i tij i dënon sulmet ndaj Policisë në Kosovë.

“Ky incident tragjik tregon se sa e rëndësishme është ulja e tensioneve dhe sa e rëndësishme është kthimi në dialog për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit”, tha Gram.

Ndryshe, sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar të gjitha vendet perëndimore, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të martën ka publikuar pamje të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç ku shihet në Veri, saktësisht në Banjskë.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, tha ai.

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë dhe tetë janë arrestuar.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Veri.

/albanianpost/

Read Previous

Pas ngjarjeve të fundit Pacolli i ofron mbështetje Kurtit: I ftoj edhe kolegët e tjerë ta bëjnë

Read Next

Të arrestuarit për terrorizëm mund të dënohen nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm