Ministri Krasniqi kundër Borrellit: Zgjedhjet në Veri veç përmes peticionit

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjatë konferencës për media pas përfundimit të takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel tha se mënyra më e shpejtë dhe më efikase për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Veriun e Kosovës – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – është dorëheqja vullnetare e kryetarëve shqiptarë, megjithatë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një prononcim të shkurtër për media, tha se kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve në katër komunat veriore  vjen nga Beogradi.

Sipas tij nuk ka asnjë autoritet i cili mund t’i kërkojë kryetarit të jap dorëheqja meqë për Krasniqit dorëheqja është akt moral.

“Kryetarët e komunave e kanë mbështetur procesin e peticionit dhe ata besojnë se kjo është demokracia. Ne duhet të përkujdesemi për demokracinë dhe jo për dëshirat e kujtdo qoftë. Dorëheqja është kërkesë e Beogradit, ne nuk jemi këtu për t’u brengosur se çka mendon dhe se çka kërkon Beogradi. Ne jemi këtu si përfaqësues të institucioneve për t’u përkujdesur ndaj demokracisë dhe për funksionalizimin e institucioneve tona”, tha Kransiqi.

Për rrugën e Qeverisë së Kosovës që përmes një peticioni t’u hapet rruga rizgjedhjeve atje, Borrell potencoi se është proces tepër i pasgurt.

“BE-ja e sheh si rrugë më të shpejtë e më efikase dorëheqjen e kryetarëve që janë zgjedhur me vetëm 3 për qind, në mënyrë që të mundësohen zgjedhjet e reja. Procedura tjetër e largimit nëpërmjet peticionit është tepër e gjatë dhe e pasigurt. Serbët e Kosovës po ashtu duhet të tregohen konstruktivë e të angazhohen pa kushte në procesin elektoral. Duhet të marrin pjesë në zgjedhje. E mirëpres garancinë që mora nga presidenti Vuçiç”, tha ai duke njoftuar se ka marrë garanci nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të banuara me serbë etnikë. /Albanianpost.com

Read Previous

Keqpërdorim i kartelave bankare, arrestohen dhjetë persona të cilët dëmtuan me mijëra euro bankat në Kosovë

Read Next

KOMF reagon pas keqtrajtimit të 3-vjeçarit në një kopsht në Fushë-Kosovë