Ministri në detyrë për Zhvillim Rajonal i Kosovës, Fikrim Damka, e ka mohuar “çdo shkelje” të shtunën, një ditë pasi ndaj tij u ngrit aktakuzë për keqpërdorim të detyrës.
Prokurorët i akuzojnë Damkën dhe ushtruesin e detyrës së sekretarit të kësaj Ministrie, Besim Kamberaj, se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme në vlerë prej rreth 1 milion eurove.
Duke folur për gazetarë të shtunën në Prishtinë, Damka tha se nuk e ka lexuar aktakuzën, por se “do të paraqitem me plot vullnet” në gjykatë sapo ta marrë thirrjen.
“Jam i bindur se nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore, asnjë keqpërdorim, asnjë cent të Republikës së Kosovës”, tha Damka para hyrjes në Kuvend të shtunën.
Fikrim Damka – i cili është kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës – u emërua ministër i për Zhvillim Rajonal në Qeverinë Kurti II në vitin 2021.
Ai shtoi se “do të sqarohen të gjitha në gjykatë, sepse besoj në drejtësinë e Kosovës”.
Damka dhe Kamberaj akuzohen se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, Germin dhe Caritas Zviceran, gjatë periudhës mes 16 gushtit 2021 dhe 24 marsit 2022.
Prokurorët i ngarkojnë ata se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, dhe në kundërshtim me kompetencat e Ministrisë, kur kanë tejkaluar limitet e mundësisë së financimit të OJQ-ve nga fondet publike, “duke i financuar organizatat e përmendura pa organizuar thirrje publike”.
Prokuroria tha se i ka Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim efektiv.
Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë të dënohen deri në pesë vjet burgim, sipas kodit penal të Kosovës.