Milano ndalon duhanin në ambientet e jashtme

© Piero CRUCIATTI / AFP/File

Duhanpirësit në kryeqytetin financiar dhe të modës të Italisë, Milano, rrezikojnë të gjobiten për ndezjen e cigareve në rrugët e qytetit ose në zonat publike, pasi ndalimi më i rreptë i vendit hyri në fuqi dje.

Ata që kundërshtojnë ndalimin e ri mund të paguajnë një gjobë prej 40 deri në 240 euro, raportoi Euraktiv.

Rregullorja e Milanos për cilësinë e ajrit, e cila u miratua nga asambleja e qytetit në vitin 2020, kërkon një ndalim gjithnjë e më të rreptë të duhanit.

Nga viti 2021 ndalohet pirja e duhanit në parqe dhe kënde lojërash, si dhe në stacionet e autobusëve dhe në ambiente sportive.

Ndalimi i fundit i pirjes së duhanit, i cili ka hyrë në fuqi sot, vlen për “të gjitha hapësirat publike, duke përfshirë rrugët”, me përjashtim të “vendeve të izoluara ku është e mundur të mbahet një distancë prej të paktën 10 metrash nga njerëzit e tjerë”, thuhet në rregulloren e re.

Zyrtarët lokalë thonë se masa ka për qëllim reduktimin e grimcave në ajër për të “përmirësuar cilësinë e ajrit të qytetit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, duke përfshirë mbrojtjen nga pirja pasive e duhanit në vendet publike, të cilat vizitohen edhe nga fëmijët”. /Euronews.al/

Read Previous

Dhjetë klubet më të mëdha që nuk e kanë fituar kurrë Premier Ligën

Read Next

Biden e quan sulm të neveritshëm sulmin në New Orelans