Microsoft zhvillon AI për diagnostikimin më të shpejtë dhe më të saktë të sëmundjeve

Një revolucion po ndodh në mjekësinë moderne falë zhvillimeve të fundit në inteligjencën artificiale. Kompania Microsoft ka krijuar një sistem të avancuar diagnostikues, i njohur si Microsoft AI Diagnostic Orchestrator (MAI-DxO), që ka arritur të japë diagnoza me një saktësi mbresëlënëse prej 85%.

Ky rezultat ka lënë pas mjekët e praktikës së përgjithshme, të cilët kanë arritur të jenë të saktë vetëm në 20% të rasteve të ngjashme, shkruan Times.

Sistemi, i testuar në rreth 300 raste mjekësore tepër të ndërlikuara dhe të publikuara në New England Journal of Medicine, ka demonstruar një efikasitet të jashtëzakonshëm jo vetëm në saktësinë e diagnozave, por edhe në aspektin financiar, duke arritur të ulë kostot e diagnozës me 20% në krahasim me mjekët.

Në një periudhë kur kostot e shëndetësisë janë rritur në mbarë botën, ky rezultat është veçanërisht i rëndësishëm dhe ofron një shpresë të madhe për të ardhmen e shëndetit global.

MAI-DxO është projektuar për të imituar procesin logjik të një mjeku. Sistemi mbledh informacion, bën analiza, cakton teste dhe arrin në një diagnozë, duke pasqyruar në mënyrë të avancuar mënyrën sesi mjekët e trajtojnë një rast. Microsoft gjithashtu ka ndërtuar një komponent të veçantë të quajtur Orchestrator, që funksionon si një bord virtual ekspertësh, duke simuluar diskutimet që mjekët bëjnë mes njëri-tjetrit në raste të ndërlikuara.

Për të testuar performancën e sistemit, Microsoft përdori inteligjenca artificiale të tjera të njohura si Claude, Gemini, Grok, GPT, Llama dhe të tjerë, duke i kombinuar ato në një sistem të vetëm diagnostikues.

Mustafa Suleyman, CEO i Microsoft AI, theksoi se qëllimi është të bëhet mjekësia e nivelit të lartë e disponueshme për të gjithë: “Shohim një të ardhme ku çdo njeri në botë, pavarësisht vendit apo të ardhurave, do të mund të ketë qasje në diagnoza të sakta dhe të përballueshme”.

Megjithatë, disa ekspertë janë të kujdesshëm dhe paralajmërojnë se rruga drejt përdorimit të këtyre sistemeve në mjedisin klinik është ende e gjatë. Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ende nuk ka përcaktuar nëse këto sisteme do të licencohen si pajisje mjekësore, dhe përdorimi i tyre në spitale kërkon prova të mëtejshme praktike./Sinjali

Read Previous

Rusia përjeton sulmin më të madh ajror me dronë nga Ukraina

Read Next

29 viktima nga sulmet e fundit izraelite në Gaza