Messi drejt largimit nga Inter Miami?

Vetëm disa ditë më parë u raportua se Lionel Messi pritet të largohet nga Inter Miami në fund të kontratës së tij aktuale. Sulmuesi argjentinas, i cili sapo ka mbushur 38 vjeç, po mendon me kujdes për të ardhmen, pavarësisht se kontrata i skadon në dhjetor të këtij viti.

Nga Argjentina vijnë zëra që kanë krijuar mjaft bujë në SHBA. ESPN Argentina raportoi se Messi po shqyrton një transferim të mundshëm në një kampionat më konkurrues se MLS, për t’u përgatitur sa më mirë për Kupën e Botës 2026, ndoshta kompeticionin e tij të fundit me Argjentinën.

Këto lajme ndezën alarmet në MLS, ku drejtori i komunikimit Mahonry Mendoza reagoi publikisht për të qetësuar situatën. Messi është ylli më i madh i kampionatit dhe humbja e tij, vetëm pak muaj para Kupës së Botës që mbahet pikërisht në SHBA, do të ishte goditje e rëndë për imazhin e ligës.

Sipas gazetës spanjolle Marca, situata nuk është aq dramatike. “Messi ka ende kontratë deri në fund të vitit 2025 dhe marrëdhënia me klubin është pozitive. Të dyja palët janë të përkushtuara për vazhdimësi dhe po punojnë në atë drejtim”, ka shkruar Marca.

Kjo do të thotë se, për momentin, largimi i Messit nuk është në tryezë. Ai dhe klubi pritet të ulen për të diskutuar një rinovim të mundshëm ose për të konfirmuar përfundimisht qëndrimin deri në fund të kontratës aktuale.

Inter Miami shpreson ta mbajë Messin në ekip të paktën deri në verën e vitit 2026, kur do të mbahet edhe Kupa e Botës. Klubi i David Beckham është i vetëdijshëm për rëndësinë e ikonës argjentinase, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë tregtar.

Ndërkohë, edhe pse zërat për një transferim në Arabinë Saudite janë rishfaqur, për momentin Lionel Messi mbetet i përqendruar te Inter Miami dhe objektivi i tij i madh – të arrijë formën më të mirë për Kupën e Botës me La Albiceleste. /Telegrafi/

Read Previous

Si ndikon ndryshimi i klimës në valët e nxehtësisë?

Read Next

Google dënohet me 314 milionë dollarë për mbledhje të paligjshme të të dhënave të përdoruesve