Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, do të zhvillojë bisedimet e tij të para ballë për ballë me presidentin e SHBA-së Donald Trump të enjten, në një takim me rëndësi të lartë në Zyrën Ovale.
Takimi vjen teksa Evropa kërkon të shmangë tarifat e SHBA-së dhe të ruajë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.
Konservatori 69-vjeçar, i cili mori drejtimin e ekonomisë më të madhe të Evropës muajin e kaluar, është planifikuar t’i bashkohet Trumpit për drekë dhe bisedime kokë më kokë, për të cilat analistët thonë se mund të përcaktojnë tonin për lidhjet SHBA-Gjermani për vitet që vijnë, raporton Reuters.
Ekonomia e orientuar drejt eksportit e Gjermanisë ka më shumë për të humbur si pasojë e tarifave të SHBA-së sesa të tjerët dhe vendi është gjithashtu mbështetësi i dytë më i madh ushtarak dhe financiar i Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër pushtimit të Rusisë, pas Shteteve të Bashkuara.
Takimi vjen në mes të një përkeqësimi më të gjerë të marrëdhënies transatlantike.
Administrata e Trumpit, për shembull, ka ndërhyrë në politikën e brendshme evropiane në një shkëputje nga praktika e kaluar, duke u përafruar me lëvizjet politike të krahut të djathtë dhe duke sfiduar politikat evropiane mbi imigracionin dhe lirinë e fjalës.
Takimi do të ndiqet nga afër pas disa takimeve të fundit në Zyrën Ovale në të cilat ka pasur tensione.
Merz dhe shoqëruesit e tij kanë kërkuar udhëzime nga udhëheqës të tjerë se si të merren me Trumpin për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm.
Mirëpo Merzi ka bërë tashmë disa lëvizje të guximshme politike që mund t’i nxjerrë në pah për të qetësuar Trumpin, kanë thënë analistët. Ai ka mbështetur kërkesën e Trumpit për të dyfishuar objektivin e shpenzimeve të NATO-s në 5% të prodhimit ekonomik, duke marrë lëvdata të papara fundjavën e kaluar nga sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth./koha.net/