Dëmtohet Sergio Aguero, jashtë fushave deri në nëntor
U transferua me bujë në “Camp Nou”, por Sergio Aguero duhet të presë pak për të luajtur për Barcelonën. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, sulmuesi ka pësuar një dëmtim që pritet ta lërë gjatë jashtë fushave të blerta. Duke iu referuar këtyre burimeve, Aguero vuan nga lëndimi në pjesën e tendinës së këmbës së tij të djathtë dhe për këtë mungoi si në lamtumirën e Messit, ashtu edhe ndeshjen miqësore për trofeun Gamper.
Ish-sulmuesi i Manchester Siti nuk mund ta mbështesë këmbën në tokë dhe për të ecur i duhet ndihma e patericave. Kjo situatë pritet të zgjasë për dy deri në tre javë në varësi të shkallës së dëmtimit të argjentinasit. Më pas, Aguero do bëjë ekzaminimet mjekësore dhe më pas do nisë fazën e rehabilitimit. Besohet se argjentinasi do jetë jashtë fushave deri në Nëntor, kur pritet të vihet sërish nën urdhërat e trajnerit, Ronald Koeman.