“Menjëherë dhe pa kushte”/ Ndërkombëtarët njëzëri, ShBA shton presionin ndaj Serbisë për lirimin e tre policëve të Kosovës

Pak javë pasi u morën vesh për normalizim të marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia gjenden në një situatë të tensionuar, pa zgjidhje në horizont. Ndonëse gjatë kësaj kohe u duk sikur aleatët ia kanë kthyer shpinën Kosovës me reagimet e ashpra ndaj veprimeve të Qeverisë Kurti në veri, më në fund erdhi një reagim i DASH-it. 

Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeverisë serbe që të lirojë “menjëherë dhe pa kushte” tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor.

“Arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”, tha zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, përmes një deklarate për media.

Serbia ka thënë se tre policët e Kosovës janë arrestuar “thellë brenda territorit” të saj, por Kosova e ka quajtur rrëmbim këtë veprim nga forcat serbe dhe ka thënë se ata ishin në territorin e Kosovës.

Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.

Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.

Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar më 16 qershor se ndaj tre policëve një gjykatë në Kralevë të Serbisë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Qëndrimin e ShBA-së për këtë çështje e ka mirëpritur edhe deputetja britanike, Alicia Kearns.

“E mirëpres faktin se SHBA-ja po e konfirmon ndalimin ilegal të tre policëve kosovarë nën ‘akuza të rreme’. Për dallim nga vendimi i Kurtit për zyrat e kryetarëve të komunave, ky është një veprim ilegal. Megjithatë, dënim të shpejtë vetëm për Kosovën? Si çelës të de-përshkallëzimit, sanksionet mund të mos ndihmojnë, por unë jam kritike e hipokrizisë dhe e mungesë së balancit”, tha ajo.

Edhe eurodeputetja Viola von Cramon e ka përshëndetur qëndrimin e ShBA-së, teksa kërkesë për lirim të pakushtëzuar të zyrtarëve policorë kosovarë kërkoi dje edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë.

Dy vendet duhet “të bëjnë menjëherë gjithçka që munden për të qetësuar këtë situatë të pasigurt”, tha Annalena Baerbock në Berlin të premten përpara një takimi me homologun e saj nga Bosnje-Hercegovina, Elmedin Konakoviq. Si “një nga hapat e parë” drejt qetësimit të situatës, Baerbock i bëri thirrje Serbisë që “pa kushte” të lirojë tre policët kosovarë të kidnapuar nga autoritetet serbe, raporton Klankosova.tv.

Këtë qëndrim e ka mbajtur edhe deputeti gjerman, Andreas Schwarz. 

“Situata e sigurisë në veri të Kosovës është shqetësuese. Njësitë e KFOR-it janë dislokuar këtu, duke përfshirë Bundeswehr-in tonë! Presidenti Vuçiq duhet të organizojë lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer të Kosovës për të de-përshkallëzuar situatën”, deklaroi deputeti Schwarz.

Lirim të menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të kidnapuar më 14 qershor, Serbisë i ka kërkuar edhe Britania e Madhe.

“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor”, tha gjatë ditës së djeshme qeveria britanike.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, tha se tre policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga pala serbe, e cila ka akuzuar Prishtinën për keqtrajtimin e serbëve të arrestuar.

Rasti me tre policët e Kosovës po ndodh në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj./Sinjali/

Read Previous

Nëntë vjet nga vendosja e “Parkut të Paqes”

Read Next

Vetura bie në lumin Lepenc, humbin jetën tre persona