Ministria e Drejtësisë: Projektligji për Specialen kërkon vlerësim të veçantë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti,tha se kërkesa e PDK-së është aprovimi final i Ligjit për Specialen.
“Pastaj Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, për të biseduar dhe gjetur zgjidhjen për presidentin edhe t’i japim votat për presidentin. Bisedat i kemi përfunduar”, tha Hamza.
Ai shtoi se nuk mund të parashikojë nëse do të arrihet marrëveshje, por përsëriti se ky është qëndrimi i PDK-së.
“Janë edhe disa ditë ku ka mundësi të arrihet marrëveshje, nuk e di a do të ndodhë marrëveshja. Por përndryshe, kjo është kërkesa jonë dhe nuk ka të bëjë me nevojën për PDK-në”, deklaroi ai.
Hamza theksoi se çështja që PDK-ja ka ngritur për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk lidhet me nevojat e partisë, por me një çështje tjetër që, sipas tij, tejkalon PDK-në.
Takimi Kurti-Hamza vjen pasi Qeveria e Kosovës vlerësoi mbrëmë në orë të vona se nuk ka pengesa ligjore për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 6 tetori. /Kosovapress/