Më shumë se 449 milionë fëmijë kanë jetuar në zonat e konfliktit të dhunshëm në vitin 2021, njoftoi organizata ndërkombëtare joqeveritare “Save the Children”.
Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Al Jazeera”.
Në vitin 1982, Kombet e Bashkuara (OKB) shpallën 4 qershorin Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Pafajshëm Viktima të Agresionit, kushtuar fëmijëve palestinezë dhe libanezë të prekur nga sulmet izraelite.
Pothuajse 24 mijë shkelje të rënda ndaj fëmijëve u raportuan në konfliktet e armatosura në vitin 2021, sipas një raporti të OKB-së, raporton “Al Jazeera”.
Krimet më të zakonshme kundër fëmijëve përfshinin vrasjen, plagosjen, rekrutimin për luftë dhe mohimin e qasjes në ndihmë humanitare.
Gjithsej 2 mijë e 515 fëmijë u vranë, ndërsa 5 mijë e 555 fëmijë u plagosën dhe mbetën me një lloj paaftësie në të njëjtën periudhë, thuhet në raport.
Në vitin 2021, Afganistani, Republika Demokratike e Kongos, Izraeli, Palestina, Somalia, Siria dhe Jemeni ishin ndër vendet me më shumë krime kundër fëmijëve.
Ndërsa krimet e rrëmbimit të fëmijëve u rritën me 20 për qind, rastet e abuzimit seksual u rritën me më shumë se 20 për qind krahasuar me një vit më parë. /Albanianpost.com