Në Britaninë e Madhe mori detyrën qeveria e re laburiste dhe për pasojë pati një rinovim në dy dhomat e Parlamentit Britanik. Mbreti Charles III iu drejtua atyre në fjalimin e zakonshëm në fillim të legjislaturës të njohur si “Fjalimi i Mbretit”.
Dhe siç ndodhi vitin e kaluar, sovrani britanik preku edhe temën e futbollit në fjalimin e tij, vetëm pak ditë pas finales së dytë evropiane të humbur nga Anglia, këtë herë kundër Spanjës, një tjetër monarki në kontinent.
Megjithatë, vëmendja e Charles III nuk ishte e përqendruar në çështje thjesht në terren ose në pasardhësin e Gareth Southgate, por shumë larg tij.
Në fjalën e tij Mbreti Charles, duke iu referuar futbollit, tha: “Do të futet legjislacioni për të krijuar një rregullator të pavarur futbolli për të siguruar qëndrueshmëri më të madhe në lojë dhe për të forcuar mbrojtjen për tifozët”.
Kjo është e njëjta temë si vitin e kaluar. Por, ajo është ende jashtëzakonisht aktuale jo vetëm në Britaninë e Madhe, por në botën e futbollit evropian. Kjo, veçanërisht pas fillimit të Super League Evropiane në vitin 2021, kur qeveria angleze u anua në favor të tifozëve duke dalë kundër turneut të ri, të cilit iu bashkuan fillimisht gjashtë klubet më të mira angleze (Arsenal, Chelsea, Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Tottenham).
Protesta nga qeveria dhe tifozët më pas i shtynë klubet të bëjnë një hap prapa dhe të heqin dorë për të marrë pjesë në konkurs.
Ligji synon të krijojë një organ të pavarur rregullator që do të ketë për detyrë të mbikëqyrë llogaritë e klubeve angleze deri në National League, ligën e pestë të futbollit në vendin britanik.
Synimi parësor i këtij ligji të ri është të rikthejë tifozët në qendër të futbollit, ku klubet duhet të demonstrojnë se kanë një model financiar solid dhe që duhet miratuar, për t’u regjistruar në kampionat.
Për më tepër, do të mbrohet e drejta e tifozëve për të marrë pjesë në vendimet që do të ndikojnë në historinë e klubit, si ndryshimi në stemën apo ngjyrat e klubit, të cilat nuk duhet të bien ndesh me historinë e klubit.
Gjithashtu, në rast të një zhvendosjeje në një stadium të ri, ose punimeve të mëdha në objektin ekzistues, këto do të duhet të miratohen fillimisht nga rregullatori, me përfshirjen e tifozëve.
Një pikë tjetër është se do të futen kontrolle më të rrepta dhe kujdes më i thellë në llogaritë dhe asetet e çdo pronari të ri që përgatitet të blejë klub anglez të futbollit, ku këta të fundit duhet të paraqesin një plan financiar i cili duhet të miratohet fillimisht nga rregullatori i pavarur. Një situatë që ka trembur veçanërisht Premier League-n, e cila është e shqetësuar se rregulla të tilla do të dekurajojnë investimet nga jashtë.
Por përtej aspekteve financiare, pjesa më e rëndësishme e “Librit të Bardhë” është aftësia e rregullatorit “për të parandaluar pjesëmarrjen e klubeve angleze në kompeticionet e reja që nuk plotësojnë kriteret e paracaktuara, në konsultim me FA dhe tifozët. Kritere të tilla mund të përfshijnë masa për të parandaluar pjesëmarrjen e klubeve në garat e shkëputura që dëmtojnë lojën kombëtare, siç është Super League Evropiane”. /Albanianpost.com