Mbikëqyrja e mjekëve, shpeshtohen inspektimet për respektimin e orarit të punës

Inspektorati Shëndetësor ka intensifikuar inspektimet në Klinikat e QKUK-së, spitalet e përgjithshme dhe shërbimet parësore për të parë se sa po e respektojnë orarin e punës profesionistët shëndetësorë, me theks të atyre që punojnë edhe në sektorin privat.

Nga këto inspektime disa mjekë të Klinikës së Urologjisë, Kirurgjisë Abdominale dhe ORL-së nuk u gjenden në vendin e punës gjatë orarit.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, ushtruesi i detyrës të Kryeinspektorit Shëndetësor, Shaban Osmanaj i cili tregoi se deri më tani janë inspektuar 36 klinika për prezencën e profesionistëve shëndetësorë në punë.

Ai madje thotë se ky aksion i inspektimeve po vazhdon tutje, ndërsa për të gjithë ata që nuk u gjetën në vendin e punës do të ndërmarrin masa konform ligjit.

“Deri me tani janë inspektuar 36 klinika për prezencën e profesionistëve shëndetësorë në punë. Nga inspektimet ka rezultuar se në kohen e inspektimit disa profesionistë shëndetësorë nuk kanë qenë në vendin e punës. Në shumicën e klinikave profesionistët shëndetësorë kanë qenë në vendin e punës duke përjashtuar tre klinika, Kirurgjia Abdominale, Klinika e Urologjisë dhe jemi në verifikim të rastit për klinikën e ORL. Për të gjitha këto të gjetura do te merren veprimet e duhura konform legjislacionit në fuqi. Inspektimet do të vazhdojnë edhe në institucionet e tjera shëndetësore pa marrë parasysh natyrën e tyre të financimit publike dhe private”, tha Osmanaj përmes një shkrese.

Krejt ky aksion po ndodh pas diskutimeve që u zhvilluan në kuadër të mbledhjes së Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në të cilën u vu theksi se do të bëjnë mbikëqyrje të shtuar ndaj drejtuesve të njësive në sektorin publik, sa i përket respektimit të orarit të profesionistëve shëndetësorë, specifikisht për ata cilët punojnë edhe në sektorin privat.

Përfaqësuesit e profesionistëve shëndetësorë konsiderojnë se ideja e mbikëqyrjes së profesionistëve shëndetësorë nuk është aq urgjente sa për këto çështje të diskutohet në Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se me respektimit e orarit të punës duhet të merren menaxherët e jo kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai madje nuk e sheh të nevojshëm ndonjë mekanizëm shtesë për këtë aspekt.

Sejdiu: Respektimi i orarit nuk duhet të jetë shqetësim i kryeministrit

“Mendoj se është denigrim dhe nga ana e menaxherëve të ngrehin këtë problem tek kryeministri dhe nëse menaxherët nuk janë të aftë të zbatojnë Ligjin e punës dhe kontratat që kanë punëtorët me institucione, pse rrinë ata si menaxherë aty. Mendoj se kjo çështje është shumë e qartë vetëm se të zbatohet dhe të monitorohet nga vetë drejtorët dhe menaxherët nuk shoh diçka aq spektakolare që të ngrihet në nivelin e kryeministrit. Dhe në anën tjetër nuk është problem kyç, ajo është pika e fundit për çka do të duhej të diskutohej në atë nivel… 01’21 Mekanizmat janë vetëm të zbatohet, jo vetëm në QKUK por në të gjitha institucionet dhe nuk shoh ndonjë problem për ndonjë mekanizëm shtesë, kështu që mendoj se është vetëm një vërtetim që menaxherët nuk po dinë se si të menaxhojnë aty ku janë, tha ai.

Të njëjtën mendim ka edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani, i cili konsideron se nuk është problem i madh çështja e mbarëvajtjes në punë për mjekët që krahas punës në sektorin publik punojnë edhe në privat.

Selmani thekson edhe kompensimin e mjekëve dhe stafit tjetër mjekësor që punojnë jashtë orarit në institucionet publike.

Selmani: Nuk është ndonjë problem i madh çështja e mbarëvajtjes në punë

“Shumë është e lehtë kjo çështje. Në sistemin privat inspektorati gjatë orarit të punës nëse dikush prej nesh kalon dhe punon në sistemin privat shumë lehtë sanksionohet dhe evidentohet sepse nëpër protokolle duhet të shkruhet emri i secilit mjek që bënë një punë sado e vogël, qoftë ajo e bërë me ndërhyrje kirurgjikale. Kështu që nuk është ndonjë problem i madh çështja e mbarëvajtjes në punë, por duhet ta ketë parasysh ky Komision edhe Qeveria që në degët kirurgjikale mund të hyjnë në një ndërhyrje kirurgjikale mund të hyjnë në ora 1 dhe të dalin në ora 5 si do të kompensohet ai operator dhe ekipi që punon me të dhe të parashikohen edhe ato forma se si do të kompensohen ajo kohë jashtë orari të punës”, theksoi ai.

Selmani insiston se në komisione të tilla shëndetësore më e rëndësishme është të diskutohet mirëqenia e punëtorëve shëndetësorë dhe investimet në shëndetësi.

Selmani: Pikat me investimet në shëndetësi më të rëndësishme

“Kjo është një pikë shumë pak e rëndësishme sepse pikat tjera të cilat lidhen me investimet në shëndetësi janë shumë më të rëndësishme dhe nëse rriten investimet në shëndetësi dhe nëse rritet mirëqenia e punonjësit në sistemin publik sigurisht që nuk do kishin dal në sistemin privat, por ne jemi dëshmitar që për ditë kolegët tanë mjekë me përvojë po na ikin nga sistemin publik në atë privat”, shprehet Selmani.

Për 9 muaj të këtij viti Inspektorati Shëndetësor ka mbikëqyrë 700 institucione shëndetësore për orarin e punës. Si pasojë e këtyre inspektimeve është konstatuar se 5 profesionistë shëndetësorë gjatë orarit të rregullt të punës në institucionin publik kanë ofruar shërbime në atë privat. Prej tyre dy kanë qenë specialistë të urologjisë, një anesteziolog, dhe dy specialistë, njërit i ORL-së dhe tjetri specializantë i Kirurgjisë Plastike. /KosovaPress/

Read Previous

​Kosova has në vështirësi për identifikimin dhe menaxhimin e aseteve jashtë vendit

Read Next

Bie nga froni “Squid Game”, ky është seriali që po bën namin në të gjithë botën