Mbi 6 milionë euro ndahen për të siguruar librat e nxënësve

Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 6 milionë euro për të subvencionuar librat dhe materialet shkollore për vitin 2024/25 – ngjashëm si vitin e kaluar ndonëse kjo alternativë që ka zgjedhur ekzekutivi në vitin paraprak kishte krijuar në sërë problemesh.

Vendimi është bërë i ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë duke sqaruar se buxhet është ndarë edhe për shëndetësinë.

“Nga pakoja e ringjalljes ekonomike do të ndajmë 12.3 milionë euro për fushat që kemi prioritet për shëndetësinë, arsimin dhe ndërmarrjet publike. Për shëndetësinë do të ndajmë 1.7 milionë euro për blerjen e pajisjeve të reja , për arsim do të ndajmë 6.5 milionë euro për të subvencionuar librat dhe materialet shkollore”, ka thënë Kurti.

Ky proces kishte paraqitur probleme të shumta për prindërit pasi që i njëjti kishte detyruar fëmijët e tyre që të nisin vitin shkollor me mungesë të librave, kjo pasi që në numrin më të madh të librarive të Kosovës, menjëherë u krijuan probleme për sigurimin e mjaftueshëm të librave.

Deri në vitin shkollor 2023/24, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bënte as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

E njëjta Qeveri në vitin 2022 nuk kishte gjetur zgjidhje për fillimin e procesit mësimor, kjo pasi sindikatat kishin hyrë në grevë për të kërkuar rritje të pagave.

Në vitin 2022, greva që nisi rezultoi të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë./Albanianpost.com

Read Previous

Kanosi gazetarin, ndalohet i dyshuari

Read Next

Rama: Turistë këtë sezon si asnjëherë më parë në Qafën e Valbonës