Mbi 1 miliard euro nga fondet e BE-së janë përdorur në projekte diskriminuese

Qindra miliona euro nga fondet e Bashkimit Evropian janë përdorur për projekte që shkelin të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara, thuhet në një raport, duke përmendur iniciativa si strehimi i ndarë për komunitetin rom, qendra për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe qendra të mbajtjes për azilkërkuesit, shkruan The Guardian.

Raporti, i bazuar në të dhëna të mbledhura nga tetë organizata joqeveritare, nga vende të ndryshme të Evropës, shqyrton 63 projekte në gjashtë shtete. Besohet se këto projekte kanë përfituar së bashku mbi 1 miliard euro nga fondet e Bashkimit Evropian, duke nxjerrë në pah mungesën e kuptimit të të drejtave themelore në të gjithë bllokun. Ndërsa raporti është përqendruar në gjashtë shtete, autorët e tij sugjeruan se projekte të ngjashme janë ndoshta të përhapura në të gjithë BE-në. 

“Kjo është vërtet vetëm maja e ajsbergut”, ka thënë Ines Buliq nga Rrjeti Evropian për Jetesë të Pavarur, duke e përshkruar si “të papranueshme” që fondet e siguruara nga qytetarët evropianë të jenë përdorur për të përforcuar diskriminimin dhe përjashtimin e komuniteteve që tashmë janë ndër më të margjinalizuarat në bllokun evropian.

Ajo mori si shembull një shkollë në Greqi për persona me aftësi të kufizuara, e cila kishte qenë pjesë e një investimi më të gjerë të BE-së në shkolla profesionale të veçanta.

“Ajo që do të dëshironim të shihnim është investimi në arsimin gjithëpërfshirës, që është shumë i nevojshëm në të gjithë BE-në, si shkolla të qasshme, investime në mësues ndihmës dhe shërbime të tjera që u mundësojnë fëmijëve të ndjekin shkolla të zakonshme”, ka thënë ajo.

Një shembull tjetër që ajo përmendi ishte një institucion për fëmijë me aftësi të kufizuara në Rumani, i cili kishte marrë 2.5 milionë euro, ku fëmijët po dërgoheshin për të jetuar diku tjetër në vend që t’u ofrohej mbështetje për të qëndruar me familjet e tyre. 

“Ky është një shqetësim i madh. Është e drejtë e të gjithë fëmijëve, me ose pa aftësi të kufizuara, të rriten me familjet e tyre”, ka shtuar Buliq.

Shembuj të tjerë të cituar në raport përfshijnë ndërtimin e banesave sociale për romët në periferi të një qyteti në Rumani. Larg çdo shërbimi publik, shtëpitë janë ndërtuar nga kontejnerë anijesh dhe nuk plotësojnë kërkesat minimale për izolim termik, akustik apo për kushte higjieno-sanitare, thuhet në raport. 

Disa qendra pritjeje për azilkërkues në Greqi janë gjithashtu vënë në dukje për vendndodhjet jashtëzakonisht të largëta dhe kushtet e dobëta të jetesës.

Read Previous

“Defender Europe 2025” vlerësohet si moment historik për ushtrinë e Kosovës

Read Next

​Hasani: Puna ish kryer moti sikur t’i kishin mendtë në kokë kryetarët e partive