Ka nisur lansimi i thirrjes publike nga Qeveria e Kosovës për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar.
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se që nga sot do të fillojë lansimi publik.
Në fjalimin e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kjo përveçse do të mundësojë uljen e kostove financare, do ta bëjë edhe reduktimin e emetimit të gazrave serrë.
“Në vendin tonë intensiteti energjetik është tri herë më i lartë se sa shtetet anëtare të BE-së, ky numër duhet të ulet dukshëm andaj fokusi nuk është vetëm rritja e kapaciteve prodhuese, por edhe në rritjen e eficiencës së energjisë. Përvec që ndikon në uljen e kostove financare, ndikon në reduktimin e emetimit të gazrave serrë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se programi i efiçienës përveç që ndikon në aspektin ambiental, është edhe kursimtar për buxhetin familjar.
“Përmes masave tona kemi mbështetur mbi 9 mijë familje, duke ua subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente në ngrohje. Për herë të parë në vendin tonë u kemi dhënë përkrahje nënave vetushqyese”, ka theksuar ai.
Në ceremoni ka marrë pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi.
Ministrja Rizvanolli ka potencuar se kjo është vazhdimësi e thirrjeve nga fondi i Efiçiencës së Energjisë së Kosovës, i cili përkrahet nga Fondi i Bashkimit Evropian dhe do të vazhdojë edhe javët në vijim.
“Sot po lansojmë thirrjen pasi rreth një javë që realizuam thirrjen për fondin e Efiçiencës së Energjisë së Kosovës, i cili do të përkrahë me ndihmën e fondeve nga Bashkimi Evropian, do të përkrah për izolimin e shtëpive dhe ndërrimin e dritareve për të gjithë qytetarët e Kosovës që plotësojnë kushtet. Vazhdimësi e thirrjeve së kaluar që kemi pasur për pajisjet e ngrohjes”, ka theksuar Rizvanolli.
Rizvanolli ka bërë të ditur se “Thirrja e sotit ka të bëjë për pajisje elektro-shtepiake efiçiente, duke përfshirë rrobalarësen, enëlarësen dhe frigoriferin. Si dhe për herë të parë sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar”.
Sa i përket vlerës së subvencionimit, Rizvanolli ka shtuar se çmimi është fiks, ku përfshin “200€ rrobalarësen, 150€ enëlarësen dhe 100€ frigoriferi. Ky është çmimi maksimal për përfitiuesit e ndihmës sociale, qoftë kategorisë së parë qoftë kategorisë së dytë. Gjithashtu edhe prindërit vetushqyes kanë trajtim special”.
/dukagjini/