Cepi juglindor i Evropës, përfshirë Kosovën, po shndërrohet në terrenin ku shtetet më të fuqishme përpiqen të zhvendosin një nga dilemat e tyre: çfarë të bëjnë me migrantët që nuk i duan brenda kufijve të vet?
Së fundi, Kosova është pajtuar të strehojë 50 migrantë nga shtete të treta që qëndronin në SHBA, ndërsa ka shprehur gatishmëri për të strehuar edhe azilkërkuesit e refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Qeveria e Kosovës, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme që do ta ketë për detyrë zbatimin e marrëveshjes me SHBA-në, nuk janë përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë temë.
Se çfarë fiton Kosova nga kjo marrëveshje, nuk kanë treguar as nga Departamenti amerikan i Shtetit, që vetëm ka thënë se SHBA-ja i është “mirënjohëse partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta, të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara”.
Zgjidh gjuhën
Marrëveshjet për migrantët: Çka përfiton Kosova dhe pse kritikohen ato?
INDEKSONLINE
E Diele, 15 Qershor 2025 10:02
Cepi juglindor i Evropës, përfshirë Kosovën, po shndërrohet në terrenin ku shtetet më të fuqishme përpiqen të zhvendosin një nga dilemat e tyre: çfarë të bëjnë me migrantët që nuk i duan brenda kufijve të vet?
Së fundi, Kosova është pajtuar të strehojë 50 migrantë nga shtete të treta që qëndronin në SHBA, ndërsa ka shprehur gatishmëri për të strehuar edhe azilkërkuesit e refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Qeveria e Kosovës, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme që do ta ketë për detyrë zbatimin e marrëveshjes me SHBA-në, nuk janë përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë temë.
Se çfarë fiton Kosova nga kjo marrëveshje, nuk kanë treguar as nga Departamenti amerikan i Shtetit, që vetëm ka thënë se SHBA-ja i është “mirënjohëse partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta, të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara”.
Më vonë, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, e falënderoi Kosovën në X, duke thënë se ajo u bë “vendi i parë në Evropë që njoftoi se do të pranojë shtetas nga vendet e treta që dëbohen nga Shtetet e Bashkuara”.
“Sigurimi i kufirit amerikan është prioritet kryesor i administratës Trump dhe unë i çmoj Qeverinë dhe popullin e Kosovës për partneritetin e tyre”, shtoi ajo.
Çka fiton Kosova?
A përbëjnë këto marrëveshje vërtet përparim strategjik për Kosovën? Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit, thotë se këto marrëveshje duhet të kuptohen “si një formë bashkëpunimi bilateral, dhe jo si një moment transformues në pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës”.
“Kjo e forcon imazhin e Kosovës si partnere e besueshme, por nuk e ndryshon thellësisht dinamikën e marrëdhënieve, veçanërisht kur çështje kyçe politike, si dialogu Kosovë-Serbi, vazhdojnë të jenë burim tensioni në mes të dy vendeve”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.
Si dëshmi për këtë, ajo përmend një marrëveshje mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë për refugjatët sirianë, që thotë se tregon që “bashkëpunimi në menaxhimin e migracionit nuk përkthehet domosdoshmërisht në përmirësim të marrëdhënieve më të gjera, nëse mosmarrëveshjet politike më të thella mbeten të pazgjidhura”.
Edhe ish-ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, thotë se nuk është e mjaftueshme që Kosova të tregojë se dëshiron ta ndihmojë SHBA-në në adresimin e sfidave të saj.
“Gjestet simbolike të këtij lloji, ndonëse të rëndësishme dhe të dobishme, duhet të shoqërohen me një qasje më të gjerë që siguron se Kosova nuk është në listën e problemeve”, thotë Hill për Radion Evropa e Lirë.
Por, Kosova nuk është e vetmja në Ballkan që po pranon përgjegjësi të tilla për menaxhimin e migrantëve.
Shqipëria ka marrëveshje me Italinë për të pranuar migrantët, Maqedonia e Veriut është përmendur si vend potencial për marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa, Bosnje e Hercegovina ka bashkëpunim me BE-në për menaxhimin e migracionit, duke pranuar fonde dhe mbështetje për qendra pritjeje.
Në fund të muajit të kaluar, organizata Human Rights Watch (HRW) i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian që të mos e përdorin Ballkanin si “magazinë për migrantët”.
Michael Bochenek, nga kjo organizatë, thotë për REL-in se Ballkani është bërë cak i planeve të tilla të shteteve më të fuqishme për disa arsye.
“Vendet e Ballkanit nuk kanë historik vërtet të tmerrshëm të shkeljeve të të drejtave të njeriut [krahasuar me vendet e tjera që janë përdorur për këto plane, si Ruanda, Sudani Jugor, Libia]”, thotë ai.
Bochenek shton se rol luan edhe ndikimi që Bashkimi Evropian ka në shtetet e këtij rajoni.
“Për mirë a për keq, këto qeveri mund të kenë një ndjenjë detyrimi ndaj Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye mund të jenë më të hapura ndaj këtyre lloje kërkesash”, thotë Bochenek.
Pse po flasim për Bashkimin Evropian?
Për tri arsye kryesore, thotë Olivia Sundberg Diez, nga organizata Amnesty International, që ka shumë vite që monitoron e kritikon marrëveshjet e tilla.
Janë tre hapa, thotë ajo, që Bashkimi Evropian i ka ndërmarrë së fundi që procesimi i migrantëve të bëhet jashtë kufijve të BE-së, si mënyrë për t’u përballur me një valë të madhe migrantësh.
Në muajt e fundit, Bashkimi Evropian ka sjellë propozime që mundësojnë refuzimin e kërkesës për azil të një aplikuesi, me arsyetimin se ai mund të kërkojë azil edhe diku tjetër; lehtësimin e refuzimit dhe dëbimin e azilkërkuesve nga shtete që BE-ja i cilëson të sigurta, si dhe mundësinë që azilkërkuesit e refuzuar të dërgohen edhe në shtete me të cilat s’kanë asnjë lidhje.
“Ka një përpjekje të qëllimshme për të zhvendosur përgjegjësinë për mbrojtjen e refugjatëve në vende jashtë BE-së, pa garanci të qarta ligjore dhe me shumë paqartësi për përgjegjësinë”, thotë Diez për REL-in.
E, diskutimi se ku mund të ndërtohen qendrat e tilla të kthimit për migrantët që synonin BE-në, por që u është refuzuar kërkesa për azil, ka përfshirë pikërisht vendet e Ballkanit Perëndimor.
Emini thotë se këto shtete duhet ta kuptojnë se marrëveshjet e tilla sjellin përfitime, si investime apo mbështetje specifike, por jo progres drejt anëtarësimit në BE.
“Në të ardhmen, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të synojnë të pozicionohen jo thjesht si ofrues të shërbimeve të ndjeshme, që shtetet më të pasura nuk duan t’i marrin përsipër, por si aktorë proaktivë dhe strategjikë në arenën ndërkombëtare”, thotë Emini, duke shtuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor po “instrumentalizohet pa përfitime reale dhe afatgjata”.
Në një marrëveshje të ngjashme që po ashtu kishte nxitur kritika, në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan për dhënien me qira të 300 qelive burgu në Institucionin Korrektues në Gjilan, për të strehuar të burgosur të huaj që pritet të dëbohen nga Danimarka pas përfundimit të dënimit.
Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro, që do të investohen në Shërbimin Korrektues dhe në projekte të energjisë së ripërtërishme.
Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të transferohen në burgun në Gjilan në pjesën e parë të vitit 2027.
Më parë, Kosova kishte strehuar edhe rreth 1.900 shtetas afganë, që ishin evakuuar nga Afganistani pas rikthimit të talibanëve në pushtet, në vitin 2021.
Çfarë humbin migrantët?
Krahas debatit për përfitimet diplomatike të shteteve të Ballkanit Perëndimor, marrëveshje të tilla po ngrenë shqetësime serioze edhe në lidhje me të drejtat e migrantëve.
Bochenek nga Human Rights Watch thotë se “këto marrëveshje janë politike dhe një përpjekje për të anashkaluar detyrimet për të drejtat e njeriut”.
Ai shton se ato, shpesh, krijojnë pasiguri ligjore për migrantët, veçanërisht për ata që nuk kanë asnjë lidhje me vendin pritës.
“Njerëzit nuk e dinë se ku janë, nuk kuptojnë pse janë dërguar aty, ndihen të humbur dhe të izoluar”, thotë ai.
Diez thekson se marrëveshjet e tilla krijojnë rrezik të ndalimeve arbitrare, kufizime në qasjen në ndihmë juridike dhe vështirësi për të ndjekur ankesat ligjore.
“Nuk mund ta zbatosh këtë [marrëveshje për qendrat e kthimit] në një mënyrë që është në përputhje me të drejtat e njeriut”, thotë ajo.
Marrëveshja ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për transferimin e migrantëve ka hasur në vështirësi të tilla që nga fillimi i zbatimit. Më shumë se 70 persona të dërguar fillimisht në Shqipëri, janë kthyer sërish në Itali, pas vendimeve gjyqësore ose për shkak të nevojave mjekësore.
“Kemi mjaftueshëm dëshmi nga kërkime të gjera ndërkombëtare që tregojnë se skema të tilla – përpjekje për të zhvendosur përgjegjësitë sa më larg kufijve të Bashkimit Evropian, duke i larguar njerëzit nga sytë dhe mendja – nuk funksionojnë dhe nuk mund të zbatohen në një mënyrë që është humane”, thotë Diez.
Si ajo, edhe Bochenez thekson se skemat e tilla janë edhe të shtrenjta për shtetet që i financojnë ato.
Për këtë arsye, ata do të preferonin që shtetet më të fuqishme të investonin në kapacitetet e tyre për menaxhimin e migrantëve.
“Duket si një mënyrë jashtëzakonisht e ndërlikuar për ta trajtuar këtë çështje, përveç nëse qëllimi i vërtetë është thjesht t’i largosh njerëzit dhe t’ua lësh problemin të tjerëve”, thotë Bochenez.
Për Diezin nga Amnesty International, edhe mungesa e transparencës që përcjell marrëveshjet e tilla mes shteteve është një problem serioz.
“Marrëveshjet shpesh negociohen në mënyrë jotransparente, pa përfshirjen e parlamentit apo të organizatave të shoqërisë civile”, thotë Diez, duke shtuar se kjo e bën të vështirë çdo kontroll të pavarur.
Ajo dhe Bochenek thonë se është e rëndësishme që edhe aktivistët dhe shoqëria civile e shteteve që bëhen cak për qendra të tilla të kthimit, t’i vënë në pikëpyetje vendimet e qeverive të tyre.
“Sa më shumë që politikanët dhe ligjvënësit të jenë të vetëdijshëm për ekzistencën e kundërshtimeve lokale, aq më shumë do të detyrohen t’i marrin parasysh”, thotë Bochenek.
Ai shton se marrëveshjet e tilla shpesh prezantohen si të mira, pasi thuhet se shteti do të përfitojë fonde apo do të duket mirë në sytë e një shteti më të fuqishëm.
“Por, nëse këto marrëveshje nuk shqyrtohen me kujdes, nëse anët e tyre negative nuk vihen në pah, nëse nuk merret parasysh mendimi i publikut dhe nëse nuk kuptohet kostoja e vërtetë që mbartin, atëherë rreziku është i madh”, thotë Bochenek.
Ai shton se në rastet e tjera të këtyre marrëveshjeve në botë – si me Kosta Rikën, Panamanë, apo Sudanin e Jugut, “këto marrëveshje kanë rezultuar shumë më problematike për vendet pritëse sesa ishte parashikuar fillimisht”. /REL/