Sipas ministrit të Brendshëm shqiptar, Taulant Balla, Gjykata Kushtetuese do ta vlerësojë në një kohë shumë të shkurtër marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për çështjen e emigrantëve.
Po ashtu, ai theksoi se ka besim se filtri i Kushtetueses do të kalohet nga ligji dhe akordi do të implementohet menjëherë.
“Ky model po merret si shembull për tu zbatuar nga gjitha vendet e tjera anëtare apo ato që aspirojnë të bëhen anëtare të BE”, shtjelloi Balla. “Të jesh pjesë e BE nuk mjafton, tu gëzohesh vetëm përfitimeve që vijnë nga procesi. Duhet të marrësh angazhime dhe përgjegjësi”.
Me këtë strategji, në fjalët e Ballës, morën përgjigje edhe gjithë ata skeptik që e panë si marrëveshje në një farë mënyrë trajtimi Shqipërinë si një vend të dorës së dytë.
“Mos harroni rolin e rëndësishëm që Shqipëria ka, dhe shpreh bindjen se Kushtetuesja do të vlerësojë në kohë të shkurtër, sikurse e ka kompetencë, për të filluar zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, përmbylli ai. /Albanianpost.com