Marrëveshja me Italinë, Rama: Kam besim se nuk ka asgjë antikushtetuese

Ankimi i opozitës shqiptare në Gjykatën Kushtetuese për marrëveshjen e nënshkruar me Italinë, më bën të qesh.

Kështu deklaroi kryeministri shqiptar, Edi Rama, në fjalën e tij në eventin e partisë së Georgia Melonit, ku është i ftuar edhe Elon Musk.

Rama shprehu bindjen se marrëveshja për emigrantët nuk cenon Kushtetutën e Shqipërisë.

“E presim vendimin me qetësi, pastaj do të fillojmë të punojmë mirë”, shtoi numri një i Qeverisë duke thënë gjithashtu se ka besim se vendimi do të merret para pranverës së ardhshme.

Kjo sepse është një marrëveshje e rëndësishme mes dy shteteve dhe qeveritë përkatëse duhet ta dinë si “të ecim përpara pa humbur kohë”.

Më pas lidhur me kërkesat për marrëveshje të ngjashme nga shtetet tjera, ai tha se nuk do të pranonte.

Kryeministri pohoi se ka pasur kërkesa të tilla, por nuk i tregoi emrat e shteteve, duke theksuar se ato janë “shtete kushërinj dhe jo vende motra si Italia”.

Ka një ndryshim: nëse bëjmë një marrëveshje me një vend si Italia, e bëjmë si një përpjekje të përbashkët, jo sikur të ishim një vend në të cilin do ta transferonim problemin”.

Sipas tij, ajo që po bën Italia nuk është ta transferojë problemin, por të përpiqet të zgjerojë hapësirën për të menaxhuar këtë proces duke u marrë me vetë problemin.

Kryeministri shtoi se marrëveshja ndoshta nuk është zgjidhje, por është një përpjekje.

“Nëse në Afrikë pikëpamja e Perëndimit është shumë problematike dhe u është lënë terren forcave të tjera për të bërë biznes, ndërkohë që Perëndimi është vënë në rolin e grabitqarit prej shekujsh, ne duhet të kemi një zgjidhje më të thellë, por ndërkohë ne duhet të punohet për zgjidhje që ndoshta nuk janë perfekte”.

Marrëveshja

Qeveria shqiptare, të martën e 7 nëntorit, ka zbardhur Protokollin e firmosur ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Kështu bëhet me dije se marrëveshja për strehimin e emigrantëve – të kapur në det nga Italia – në dy qendrat e ndërtuara në Shqipëri, do të zgjasë plot pesë vite.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.

Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.

Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.

Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.

Neni 4, që është pika kryesore e këtij protokolli thekson se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.

Kufiri maksimal i pritjes së së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.

Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare. /Albanianpost.com

Read Previous

Blushi: Emigrim masiv do të ketë edhe në Kosovë, këto janë arsyet

Read Next

Oda Ekonomike Amerikane: Marrëdhëniet Kosovë – Serbi me ndikim në afarizëm