Marash Kumbulla pritet të rikthehet kundër Napolit ose Juventusit

Mbrojtësi shqiptar, Marash Kumbulla raportohet se është një hap larg rikthimit në dispozicion të Jose Mourinho-s pas një mungese të gjatë.

Pas përfundimit të rikuperimit nga një këputje e ligamentit te gjurit (ACL), Kumbulla do të rikthehet në pankinën e Roma-s në ditët në vijim.

Siç parashikohej nga vetë Mourinho në paraqitjet e tij të fundit në media, “Corriere dello Sport” konfirmon se Kumbulla mund të marrë thirrjen e tij të parë zyrtare pas disa muajsh qoftë në ndeshjen e ardhshme të ligës me Napoli-n ose në ndeshjen e fundit të vitit kundër Juventus-it më 30 dhjetor.

Rikthimi i Kumbullës do t’i japë Mourinho-s më shumë opsione në mbrojtje, gjë që, duke pasur parasysh largimin e afërt të Evan Ndicka në Kupën e Kombeve në Afrikë, dhe mungesën e zgjatur të Chris Smalling, do të jetë shumë e rëndësishme pasi Roma vazhdon kalendarin e saj të ngjeshur në disa gara.

Qendërmbrojtësi 23-vjeçar u detyrua të dilte nga fusha pas vetëm 15 minutash në barazimin 1-1 të Roma-s me Milan-in në fund të prillit. Dhe pas gati 240 ditësh, ai do të rikthehet sërish në fushën e blertë.

/albanianpost/

Read Previous

Fëmijët në Gaza “mezi kanë një pikë për të pirë”, paralajmëron UNICEF

Read Next

Superliga kundër UEFA dhe FIFA, Gjykata Europiane e Drejtësisë mund të rishkruajë të ardhmen e futbollit