Maqedonci: Kosova kulmimin e furnizimit me armë e ka në vitin 2022

Sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Kosova kulmimin e furnizimit me armë e ka pasur gjatë vitit 2022.

Maqedonci, në një intervistë për Albanian Post kishte deklaruar se Kosova vazhdon të furnizohet me armë nga vende të ndryshme që janë anëtare të NATO-s.

“Kosova kulmimin e furnizimit me armë e ka gjatë vitit 2022 dhe gjatë vitit aktual. Ne vazhdojmë të furnizohemi me armë dhe të gjitha blerjet bëhen sipas konceptit shtet me shtet, kryesisht me SHBA, Turqinë, Italinë, Gjermaninë, Kroacinë dhe vendet e tjera të NATO-s”, ka thënë Maqedonci.

Forca e Sigurisë së Kosovë, përkitazi me moshën, është një strukturë e organizuar mirë, por për shkak të buxhetit të vogël dhe kufizimeve të tjera, qëndron shumë dobët me armatimin e rëndë.

FSK-ja vazhdon që ende të mos ketë armë të krahut, armë anti-tank, armë për mbrojtje kundër-ajrore dhe gjithashtu nuk ka helikopterë për bartjen e njësiteve prej një vendi në vendin tjetër.

Me buxhetin e përgjithshëm të Kosovës, vetëm pak mbi 2 miliardë e 700 milionë euro dhe me buxhet rreth 100 milionë për ushtrinë, blerja e armëve të tilla ngjan tejet e vështirë.

Për shembull, vetëm lëshuesi i predhës “FGM-148 Javelin”, amerikan, kushton mbi 160 mijë euro, derisa një predhë e vetme për këtë pajisje kushton rreth 93 mijë euro.

Krahasimi i FSK-së me ushtritë e shteteve të tjera

Pajisje të tjera janë akoma më të shtrenjta.

Ta zëmë një sistem kundërajror kapë çmimin miliona euro. Sistemi kundër-ajror amerikan “M142 HIMARS” kushton mbi 5.1 milionë euro. Shto këtu edhe predhat që kanë çmime marramendëse vetë.

Për helikopter ushtarak çmimet janë akoma më të mëdha. Për shembull, një helikopter ushtarak i forcës ajrore amerikane “Sikorsky hh-60 pave haë” ka çmim rreth 15 milionë euro. Mund të ketë diçka më të lirë të prodhuar nga shtete të tjera, por përafërsisht këto janë shifrat.

Sistem kundër-ajror asnjë nuk e ka as Shqipëria. Derisa, sipas faqes “Global Fire Power”, që matë fuqitë ushtarake të secilit vend, Serbia është e 17-ta në botë dhe ka 406 sisteme kundër-ajrore në ushtrinë e saj.

Sipas të njëjtës faqe, në projektimin e përgjithshëm të fuqisë ushtarake, nga 140 shtete, Kosova është e 139-ta me vetëm Butanin si shtet më i dobët ushtarakisht.

Shqipëria është e 115-ta, kurse Serbia është e 61-ta, duke lënë prapa edhe Kroacinë. /Albanianpost.com

Read Previous

Gaza nuk gjen qetësi as për Krishtlindje, mbi 100 të vrarë gjatë natës nga sulmet izraelite

Read Next

Dy persona vdesin në Bjeshkët e Junikut